Leksione për investitorët nga historia e financave të luftës

schedule10:00 - 26 Prill, 2024

schedule 10:00 - 26 Prill, 2024

Nga Gillian Tett, Financial Times

Si lindi fjala “kapitalizëm”?

Nëse do tua bëni këtë pyetje shumicës së investitorëve sot, ata mund të flasin për tregjet, tregtinë dhe Adam Smith ose për Karl Marx. Por, sipas historianit britanik Michael Sonenscher, termi në fakt u përdor për herë të parë në Europën e shekullit XVIII, në lidhje me financat e luftës.

“’Kapitalizmi’ vjen nga fjala si franceze (capitalisme), por fillimisht u përdor për t’iu referuar disa problemeve kryesisht britanike”, vëren Sonenscher.

“Më i spikaturi ishte sistemi i financimit të luftës (të shekullit XVIII). Në frëngjisht, dikush që i jepte paratë një dege të qeverisë mbretërore franceze, ai quhej kapitalist (capitaliste).

Në një aspekt, kjo është veçse një veçori interesante e historisë. Në dekadat pas Luftës së Ftohtë, “dividenti i paqes” ishte i tillë aq sa financuesit modernë dhe votuesit, rrallëherë mendonin për pyetjen se si paguhen luftërat.

Megjithatë, këtë javë, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm raportoi se rritja e konfliktit gjeopolitik shkaktoi një rritje prej 7 për qind, të nxitur nga inflacioni, në shpenzimet e mbrojtjes vitin e kaluar, në një rekord 2.4 trilion dollarë, ose 2.3 për qind të prodhimit ekonomik global.

Kjo pjesërisht pasqyron ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës. Jo vetëm shpenzimet amerikane, europiane dhe ukrainase janë rritur, por shpenzimet ushtarake ruse janë rritur me mbi 6% të prodhimit të brendshëm bruto.

Në fakt, për herë të parë në vitin e kaluar shpenzimet u rritën në pesë rajonet gjeopolitike që hulumtohen nga Sipri.

“Shtetet i japin përparësi fuqisë ushtarake, por rrezikojnë spirale veprim-kundërveprim në peizazhin gjithnjë e më të paqëndrueshëm gjeopolitik dhe të sigurisë”, tha studiuesi i Sipri-it, Nan Tian.

Rishi Sunak, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar rriti shpenzimet e mbrojtjes në 2.5 për qind të PBB-së deri në vitin 2030, ndërsa NATO së fundmi njoftoi për një plan shpenzimesh prej 100 miliardë dollarësh.

Më pas vijnë faturat e ndihmës ushtarake me vlerë prej 95 miliardë dollarëve për Ukrainën, Tajvanin dhe Izraelin, të cilat sapo u miratuan nga Kongresi i ShBA-së.

Fatmirësisht, kjo normë e rritjes është ende më e ulët se në periudhat e ndryshme të shekullit të XX. Gjashtëdhjetë vjet më parë, përpara se të fillonte dividenti i paqes, SHBA-ja dhe Britania e Madhe shpenzonin tetë, përkatësisht gjashtë për qind të PBB-së për ushtrinë.

Por, duke pasur parasysh se shumica e investitorëve modernë ndërtuan karrierën e vet kur “kapitalizmi” u përkufizua në terma paqësorë, janë të paktën tri çështje që duhet përmendur.

E para, historia na ka treguar se qeveritë pothuajse kurrë nuk ua tregojnë votuesve koston e vërtetë të luftës ose se si ata synojnë ta paguajnë. Ka përjashtime. Në vitin 1940, për shembull, John Maynard Keynes botoi broshurën e duhur me titullin Si të paguash për luftën.

Dhe, vitin e kaluar Danimarka anuloi një festë kombëtare për të krijuar të ardhura shtesë për shpenzimet e mbrojtjes. Në SHBA, konsulentët politikë supozohet t’i shqyrtojnë faturat e shpenzimeve të Kongresit.

Por, transparenca është gjë e rrallë. Siç vë në dukje Sonenscher, arsyeja kryesore se pse mbretërit europianë të shekullit XVIII lejuan borxhet për aventurat ushtarake, ishte për të anashkaluar kontrollin e legjislativëve.

Mësimi i dytë është se, edhe nëse kostot përfundimisht fshihen përmes rritjes së taksave, inflacionit ose plaçkave, zakonisht ka rritje të borxhit.

Instituti Ëatson vlerëson se në SHBA ka pasur tetë trilionë dollarë shpenzime ushtarake që nga viti 2001, të cilat “u paguan pothuajse tërësisht duke marrë hua”. Në mungesë të shlyerjes në kohë, nëpërmjet rritjeve masive të taksave, rritjes së mahnitshme dhe/ose mos pagesës, “pagesat e interesit mund të arrijnë në mbi 6.5 trilionë dollarë deri në vitet 2050”.

Është e vështirë të besohet se gjërat në Europë do të jenë ndryshe. Po, Sunak këtë javë pretendoi se rritja e tij e synuar për shpenzimet ushtarake do të “financohej plotësisht” nëpërmjet shkurtimeve të shpenzimeve nëpër departamente.

Së treti, tronditja e luftës jo vetëm që inkurajon ndërhyrjen e rëndë ekonomike të shtetit, por edhe inovacionin financiar dhe teknologjik.

Në vitin 1694, për shembull, qeveria britanike përqafoi idenë qendrore bankare për të financuar luftën. Në vitet 1940, lëshimi amerikan i “obligacioneve të luftës” ndihmoi në hapjen e tregut të drejtpërdrejt për fondet qeveritare.

Lufta e Dytë Botërore çoi gjithashtu në zhvillimin e politikave të represionit financiar nga qeveritë britanike dhe amerikane. Sot po zhvillohen eksperimentet për sigurimin e të ardhurave nga asetet e sekuestruara ruse për Ukrainën.

Ndërkohë, SHBA-ja po ua jep sipërmarrësve kapitalistë një pjesë të inovacionit të teknologjisë ushtarake. Dhe, më është thënë se menaxherët e aseteve po i testojnë teknikat e personalizimit dixhital që do t’i lejojnë ata të përjashtojnë me shpejtësi vendet ose rajonet armiqësore nga investimet, ndërkohë që qeveritë po zbulojnë mënyra të reja për të gjurmuar flukset e dëmshme dhe hulumtimet financiare

A do të vazhdojë risia e tillë?

Ndoshta. Por, ajo që tashmë është e qartë është se pa rritje të madhe të taksave, emetimi i borxhit do të vazhdojë të zgjerohet nëse shtohen kërcënimet e luftës. Mund të jetë “siguri” e mbrojtshme gjeopolitike për shtetet që kanë frikë nga sulmi.

Por, pothuajse me siguri do të ushtrojë presion në rritjet mbi normat e interesit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!