Leksione Namibiane për Integrimin Europian

schedule12:52 - 22 Prill, 2024

schedule 12:52 - 22 Prill, 2024

Nga Windhoek, Sokol Balla

Nga Frankfurti mund të shkosh në disa botë. Mund të shkosh në Amerikën shumëngjyrëshe. Mund të shkosh në Azinë e befasirave. Mund të shëtitësh Europën, duke filluar nga ajo e mërzitshmja perëndimore, e deri te ajo tërheqëse Lindore. Por po nga Frankfurti mund të bësh një udhëtim prapa në kohë dhe Brenda 10 orëve të zbresësh në Namibi. Vendi i madh afrikan në brigjet e Atlantikut, njohur ndryshe dhe si Afrika jugperëndimore, ka namin e ish-kolonisë së vetme gjermane në Afrikë. Por pakkush e di, se në fakt Namibia është shkëputur nga Gjermania, pas Luftës së Parë Botërore. Problemi është se gjermanët nuk janë shkëputur akoma prej saj…

Një nga arsyet përse avioni Boeing 777 i kompanisë Discover (një nënkontraktor i Lufthansa, është gjithmonë plot në dy fluturimet e saj ditore per Windhoek. Plot le të themi, me gjermanë. Paraardhësit e tyre u duk se u larguan në 1915, dhe Namibia e sotme, iu dha si plaçkë lufte palës që luftoi kundër tyre, ose më saktë forcave të armatosura të Afrikës së Jugut. Sigurisht Afrika e Jugut e asaj kohe ishin të bardhët britanikë ose holandezë. Ata thjesht zëvendësuan një pushtues me një tjetër. Armiku ishte sërish i njëjti: banorët vendas. Dhe paqja mes pushtuesve është kollaj e dallueshme. Ndërsa bëj turin e parë Brenda në qytet dhe shpejt marrim rrugën për Etosha Park, shoqëruesi im zezak Dennis, është i paktë në fjalë ndaj shumë pyetjeve të mia. E pyes për rrugët, por shkurt më thotë: I ka bërë qeveria. Këtu mbushem me optimizëm. Qytetërimi më në fund ka mbërritur në Afrikë. Por rrugës të gjitha territoret majtas dhe djathtas, janë hapësira pa fund savane dhe shkretëtire që janë të rrethuar me gjemba. Pa fund. Pa ndalesa. Pa ndërprerje. Pastaj e tillë është edhe heshtja. Pas një ore e pyes guidën time Dennis sesi është itenerari. Do flemë një natë në një safari lodge ku do shohim xhaguarët. Po në Etosha Park? Atje ka xhaguarë? Dennis buzëqesh. Në Etosha Park ka gjithçka. Një nga sanktuarët më të mëdhenj në botë, ku akoma jeta rrjedh e egër, siç ka qënë para se njerëzit të ngrihen mbi dy këmbë dhe një sipërfaqe diku sa Shqipëria, ku ka edhe xhaguarë. Po atëherë përse na duhet të humbasim një ditë sot me këto kafshë? Më thotë se janë unike në Namibi, por mua më interesojnë të njoh vendin, qytetet dhe njerëzit. Dennis më sheh pak sekonda në heshtje, pastaj më thotë se duhet të marri agjensinë. E cila i përgjigjet menjëherë. Më kalon telefonin dhe me pak mundim dhe aktrim flirtues, arrij të bind menaxheren për një spostim itenerari, që më kushton vetem 100 dollarë, kostot e karburantit dhe hotelin për një natë në Swakopmund. E prej andej më thotë Dennis, rruga për në Etosha Park, është edhe më e shkurtër. Marr frymë i lehtësuar. Në Afrikë është stres jo i vogël, të gjesh shoqëruesin e duhur. Janë njerëz të mirë e të bindur. Në Livingstone, në Zambia, Nganou, ndenji me mua tre orë në aeroport, derisa hipa në avionin për Lusaka. (Më shkruan edhe sot, gati çdo javë. Kërkon t’i blej një microbus dhe të futem në biznes me të. Ideja është tunduese, por unë vazhdoj mos t’i kthej një përgjigje të prerë). Por në Zimbabve, guidën që duhet të më merrte në aeroport, e zuri gjumi dhe unë për pak humba turin për në Ujëvarën Victoria. Dennis nga Angola, tashmë Namibian, është sigurisht një zhvillim i ri. Në fund të turit do më kërkonte që herës tjetër, ta kontaktoja atë direkt dhe jo përmes agjensisë. Më tha që do më jepte një çmim të mirë. E besova. Nisur nga çmimet e çmendura të agjensisë. Në Namibi, ashtu si në Angola, çdo gjë është e shtrenjtë. Përveç diellit. Dielli është falas. Namibia është një nga vendet më të thata në botë. Megjithëse gjendet e shtrirë anash Atlantikut, po ashtu përgjatë brigjeve oqeanike shtrihet Namib, shkretëtira më e vjetër në botë.

Spostimi i itenerarit e çliron Dennis. Më thotë që nuk është mësuar me turistë klientë si unë. Shumica janë gjermanë të mërzitshëm ose anglezë të tulatur nga mirëqenia e trashëguar. Kurse unë… Unë jam ndryshe. Jam nga Shqipëria, i përgjigjem pyetjes së tij kurioze. Çuditërisht e dinte se ku binte Shqipëria. Dennis ka lindur në Angola. Pastaj i ri ka emigruar nga Zambia, e pastaj në Namibi. Babai i tij njihte një shqiptar, i cili ca kohë kishte jetuar në kryeqytetin angolez Luanda. Këtu biseda futet aty ku unë ndjehem më mirë. Historia dhe politika. E gjithë Afrika është e përfshirë në historitë e Luftës së Ftohtë. Që prej nisjes së dekolonializimit, në vitet 60, rusët por dhe kinezët erdhën, sa po ikën kolonizuesit e vjetër. Por jo vetëm kaq. Angola u shndërrua në Afganistanin e Afrikës, ku dy grupe për çlirimin nga kolonizatorët, më pas kthyen armët nga njeri tjetri, për vënien nën kontroll të territorit. Njëra palë filloi të mbështetej nga Jugafrikanët, pala tjetër nga sovietikët. Jugafrikanët merrnin armë e mbështetje nga britanikët e amerikanët, dhe mos harrojmë, ata ishin prej 1915 edhe kolonizatorët e Namibisë e shpesh kufijtë mes dy vendeve vizatoheshin thuajse çdo javë. Por në Angola zbarkoi edhe Che Guevara, së bashku me garnizone luftëtarësh kubanezë. I mërzitur nga jeta sedentare në Havana, ai erdhi në Angola për të sjellë këtu revolucionin. Revolucioni kërkon heronj dhe beteja dhe Che mendonte se Afrika ishte vendi ku çlirimi nga kolonizatorët perëndimore, ishte toka e duhur për heroizma të reja. Por betejat kërkonin armë dhe municione. Dhe Guevara fluturoi një ditë nga Angola drejt Tiranës. Thuhet se ai u shoqërua nga Sigurimi i Shtetit në Hotel Dajti e ku ndenji dy ditë. Aty u vizitua dhe nga Mehmet Shehu, i cili si kryeministër i premtoi armë dhe ekspertizë. Fakt është që në muzeumet e Afrikës, nga Namibia e deri në Eritrea, kam evidentuar tre lloje Kallashnikovësh. Variantin sovietik, të shkurtër e shpesh me qytë metalike të mbledhur, variantin kinez me qyte druri të zi, si dhe variantin e pagabueshëm të madh të AK47, me qytë druri të kaftë të çelur, që aq shpesh e montoja/çmontoja për 60 sekonda në orët e Edukimit Ushtarak, e që është i prodhuar në Poliçan. A thua këtu e kishte origjinën, pandehma se shqiptari që kishte jetuar gati një vit në Luanda, kishte lidhje me kërkesën e Guevarës për armë në Tiranë?

Shqipëria nuk ishte një emër i panjohur për afrikanët. Sidomos për regjime që te socializmi real i Enver Hoxhës kishin parë modelin perfekt për të kontrolluar vendet e tyre të sapoçliruara nga kolonializmi. Armë, dhunë, barazi. Në varfëri. Burkina Faso, një nga vendet e fundit që fitoi pavarësinë në Afrikë, mund të quhet thuajse një koloni në distancë e Partisë së Punës. Njerëz, ushtarë, armatime, para nga fondi i Solidaritetit dhe mijëra vepra të Enver Hoxhës të përkthyera në frengjisht, udhëtonin drejt Uaga-dugusë, kryeqyteti i vendit. Në Etiopi, adhurimi për perandorin Selasi, u zëvendësua me atë të një regjimi komunist, i cili qendroi në pushtet deri në 1991 dhe ku gjatë dy paradave vjetore, një të clirimit dhe tjetra në 1 maj, nuk mungonin brohoritje për Partinë e Punës. Unë deri vonë ruaja një kartolinë të një kushëririt të babait tim, që na uronte festat e nëntorit nga Dar es Salaam, aty ku Shqipëria kishte ambasadë deri ditën që vdiq Enver Hoxha. Siç kishim në Etiopi, Algjeri. Në vendet e tjera, na mbulonte Che Guevara… E pyes Denisin nëse mund ta intervistoj babanë e tij nëse shkoj në Angola dhe se çfarë pune ka bërë ai atëherë: Ka luftuar me UNITA-n, më thotë, ndërsa para makinës shfaqet tabela “Walvys Bay – 50 km”

Walvys Bay është paradhoma e qytetit Swakopmund. Ka aeroportin më të madh pas Windhoek, por lidhjet kryesore ajrore i ka me Johannesburg. Prej këtej dy herë në javë, një avion jugafrikan shkon ne St.Helena. Ishulli në Atlantik ku vdiq i syrgjynosur Napoleon Bonaparti. Qyteti u dorëzua i fundit nga afrikanojugorët. Të cilët kishin gjykuar ta mbanin edhe pse Namibia fitoi pavarësinë në mars 1990. Por kohërat po ndryshonin dhe në shtetin e apartejdit. Pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të para pluraliste, qyteti ju dorëzua Namibisë, edhe me praninë e Mandelës së sapo liruar nga burgu 27 vjeçar. Por ndërkohë në dyqanet e suvenireve me thanë se mund të paguaja edhe me randë jugafrikanë. Akoma? Pse, foli e habitur shitësja, ti nuk je nga Afrika e Jugut? Lëkura e bardhë në kontinentin e zi, është shpesh një mallkim. Është simbol i dhunës, vrasjeve, gjëmtimeve, nga ato seksuale si në Etiopi, deri te të gjymtyrëve në Kongo. Por edhe si pasaportë në zona të caktuara. Lëkura e bardhë do të thotë, mirëqenie dhe para. Këtu në Swakopmund këtë “pasaportë” e kanë akoma jugafrikanët. I gjithë bregu është i mbushur me vila të mëdha, superluksoze. Por megjithëse është akoma ditë, rrugët janë thuajse bosh. Tek tuk, të bardhë të vetmuar që shëtisin qentë. Ndonjë vajzë, e bardhë, me kufje dhe geta që bën vrapin e pasdites. Ku janë njerëzit pyes guidën time Dennis. Më shikon me vëmendje pak sekonda: Në shtëpi. Pasditeve shkojnë në vijën e restoranteve buzë oqeanit të madh dhe këtë ditë, dhe të zymtë. E kisha parë një skenë të ngjashme në Cape Town, në Afrikën e Jugut. Por atje situate ishte tjetër. Atje lëkura e bardhë ishte gati dënim me vdekje. Kurse këtu… këtu duket se Revolucioni i Zi nuk kishte mbërritur akoma. Në restorantin e peshkut, kjo u ndje më shumë. Dennis vetëofrohet të më presë në makinë, por unë ngul këmbë të vijë me mua në restorant. Futja jonë sjell heshtje, pastaj ulja së bashku e dy lëkurave të ndryshme, habi. Të vetmit të lumtur janë kamarierët zezakë, që shohin thuajse me sfidë, tavolinat plot me të bardhë që në një restorant peshku porosisin të vetmen pjatë me mish e që pijnë verë zinfandel nga Afrika e Jugut. Sepse ata, nuk janë larguar. Ata janë akoma këtu. Vilat. Restorantet. Janë të tyret. Përvec minierës së arit.

Atë e kanë marrë kinezët.

Kinezët janë shpikja më origjinale e kolonializmit paqësor. Ata kanë kuptuar se nuk ke pse harxhon para për ushtri, kur mund të harxhosh më pak, duke shtruar rrugë. Nëse shikon rrugë të shtruara mirë në Afrikë, i kanë shtruar kinezët. Nëse shikon fabrika çimentoje, janë të tyret. Nëse shikon fabrika ari, anash tyre do shohësh tabela me hieroglife kineze. Sidomos këtu në Namibi. E pyes guidën time Dennis se çfarë ata kërkojnë tjetër këtu veç arit. Oh, ma kthen ai, me gjuhën e çliruar tashmë nga kujdesi i tepërt dhe më tregon se interesi i kinezëve është te një lëndë që shërben për ndërtimin e baterive të makinave elektrike. Dhe ju japin rrugë falas? Oh, jo thotë Dennis. Rrugët bëhen me paratë tona. Epo ju vidhkan dyfish, them unë. Dennis gati sa nuk ndalon makinën dhe befas më jep ndjesinë se do të më hedhë në rrugë. Ju europianët, jeni të gjithë njësoj. Mendoni se të gjithë na vjedhin, siç na vidhni ju! Dhe më tregon gardhet me tela me gjemba që rrethojnë territore pa fund majtas e djathtas. E di të kujt janë pronë? I kanë gjermanët. I kanë zënë që para 100 e kusur vjetësh, e as nuk i punojnë. Thjesht i vënë kolateral në banka dhe prishin paratë tona në Europë. Po kinezët? Mos janë burra më të mirë. Dennis buzëqesh. E befas m’u kujtua historia e shkurtit 2023. Kur një ish kryetar i parlamentit gjerman, në takim me Presidentin e tretë të Namibisë, shprehu shqetësimin për praninë në rritje të kinezëve. Por mori mbrapsht reagimin e ashpër të presidentit Namibian. Hage Geingob i shfryu në sy diplomatit gjerman dhe i tregoi se megjithëse kishte pasaportë diplomatike, e kishin keqtrajtuar në aeroportin e Zyrihut. Kinezët, ulëriti ai para kamerave dhe gjermanit të shtangur, nuk na trajtojnë kështu. Kush jeni ju, që na tregoni ne, si të sillemi me kinezët?!

E pyes guidën time, tashmë me qetësi, se përse mendon se kinezët nuk e vjedhin Namibinë. Shiko sir, ma kthen, ne nuk jemi naivë. Afrikanëve po u hapen sytë. Shkolla, e më pas interneti. Afrikanët nuk janë më të verbër, dhe as injorantë. Ata dinë të dallojnë kinezët, nga europianët. Gjermanët, i kanë aty prej më shumë se një shekulli. U vranë e u eleminuan në mënyrë masive prej tyre, përpara se ti dorëzonin te të bardhët e tjerë, që afrikanë quheshin vetëm në emër. Thuhet se mënyra sesi gjermanët eksterminuan popullsitë e fiset vendase në Namibi, shërbeu si model për Holokaustin në Luftën e Dytë. Më pas i dorëzuan në duart e Apartejdit. Me të cilët bënë dhe ujdinë: gjermanët do mbanin tokat, jugafrikanët, bregdetin dhe minierat e arit. Afrikanët vendas… vetëm dru, plumba dhe varfëri ekstreme. Sot ende 40 përqind e Namibisë, është në atë nivel jetese. Por guida ime Dennis thotë se e do shumë presidentin aktual (në fakt ai sot nuk jeton më, pasi vdiq në shkurt 2024). Dennis thotë se presidenti Geingob me kinezët, gjeti mënyrën sesi të luftonte korrupsionin në vend. Duke spostuar të gjitha paratë që kinezët i detyroheshin shtetit, në llogari bankare në Kinë. Dhe ti Dennis mendon që Presidenti nuk vjedh? Ndoshta po, por së paku vjedh vetëm ai. Dhe shiko Sir nga dritarja.

Dhe unë shoh nga dritarja rrugë e autostrada, që do t’i kishin zili dhe vende perëndimore. Dennis shpjegon se sa herë ka nevojë për investime, paratë dalin nga llogaritë e qeverisë në Kinë, te llogaritë e firmës kineze që ndërton rrugët. Nëse paratë do ishin në Namibi, do vidheshin të gjitha, shpjegon Dennis. Kurse me skemën kineze, kjo është e pamundur. “Shikoji këto rrugë Sir. gjermanët nuk ndërtuan asnjë kilometër sa kohë e pushtuan këtë vend. Tani kur vijnë për të vizituar tokat që na kanë vjedhur dhe rrethuar me tela, ecin me mercedesët e tyre, mbi rrugët e shtruara nga kinezët”.

Qëndroj i heshtur ndërsa Dennis flet e i jep makinës drejt Windhoek. Në dy ditë, bëra safari mes kafshëve, por mora leksione historie nga shoferi im zezak, me baba angolez që njihte anën tjetër të historisë që lidh Shqipërinë me këtë anë deri dje të humbur të botës. Afrika nuk është thjesht origjina e njerëzimit dhe e kulturës së tij. Është dhe laboratori i krimeve dhe gabimeve të Perëndimit. Afrikanët këtë e kanë kuptuar në lëkurën e tyre. Sot po kërkojnë të riparojnë dëmet që kolonializmi u ka lënë akoma. Së pari duke zbardhur faturat që kanë paguar.

Në Windhoek, qëndroj i heshtur, ndërsa në 1000 metra katrorë të qendrës historike të kryeqytetit nabimian, është gjithë historia e këtij vendi të rrallë. Një statujë e një kolonialisti të njohur. Anash, një kishë protestante gjermane. Mes të dyve, monumenti dhe muzeu i pavarësisë së Namibisë. Ngjan çuditshëm me Pallatin e Kongreseve në Tiranë. E pyes guidën time Dennis, se kush e ka ndërtuar. “Jo vetëm e kanë ndërtuar, por na e kanë bërë dhe dhuratë”. Mos më thuaj Dennis: kinezët?

“Jo sir, Koreja e Veriut”.

Më kujtohet se një arkitekt i njohur më pat thënë se Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është dëshmia e gjallë e historisë së Shqipërisë. Duke filluar nga Universiteti i ndërtuar nga italianët, te Komiteti Qëndror i ndërtuar nga rusët. Te Presidenca e ndërtuar nga Kinezët. Po Pallati i Kongreseve? Atë e morëm si model nga Koreja e Veriut. Pse kemi pasur marëdhënie me ta? Desha ta pyesja. Por pastaj qesha sesa shpejt kisha harruar, ndërtesën gri në fillim të Rrugës së Ambasadave. Si dhe kartolinën e kushëririt të babait tim. Jo nga Dar es Salaam, por nga Pheniani. “Gëzuar e për shumë vjet, vitin e ri 1978!”

E kishte çuar partia në vendet më të humbura të botës, në emër të një Bashkimi që sot nuk ekziston më. Sot i kemi ambasadat më shumë të vendosura në Europë. Por nëse duam të mësojmë për Bashkimin e ri, mëkatet e tij të vjetra, bëjmë mirë t’i kërkojmë në Afrikë./realstory

Windhoek, Namibia, nëntor 2023

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!