Me nisjen e fazës së hapjes, specialistët e shëndetit kanë filluar të bëjnë apel që qytetarët të rrisin kujdesin në këtë kohë pasi virusi nuk ka ikur askund.
Me anë të një videoje të publikuar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në Facebook, Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino ka kërkuar që qytetarët të jenë të përgjegjshëm për sjelljen individuale.
Bashkë me videon, Manastirliu shkruan: Virusi nuk është zhdukur! Me lehtësimin e masave shtrënguese, duhet të jemi më të përgjegjshëm për sjelljet individuale, që të mos hedhim poshtë sakrificën e deritanishme. Ju lutem dëgjoni mesazhin e prof. Silva Bino.
Ndërsa, Bino nga ana tjetër thekson që me lehtësimin e masave të mos ketë përqafime, as shtrëngime duarsh dhe mbahet distanca pasi virusi mbetet në qarkullim.
https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/2982814405098788/
Ajo thekson gjithashtu se faza që kaloi na ndihmoi të zbusnim kurbën e sëmundjes, por duhet të jemi të përgjegjshëm “që atë muaj të sakrificës ta kemi në favorin tonë.”
Silva Bino shprehet:
“Kam një mesazh për të gjithë qytetarët, pasi jemi në fazën e hapjes, lëvizjes, dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Virusi nuk është zhdukur, as nga Shqipëria, as nga Evropa dhe as nga bota. Virusi qarkullon dhe për këtë ne duhet të jemi të kujdesshëm. Pavarësisht se dalim, duhet të jemi të përgjegjshëm për sjelljen tonë, pasi sjellja individuale është shumë e rëndësishme në këtë fazë. Faza që kaloi na ndihmoi të zbusnim kurbën e sëmundjes, që të mos kishim një ritëm të lartë të sëmundjes, të përhapjes së sëmundjes, por aktualisht ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe gjithë atë muaj të sakrificës ta kemi në favorin tonë. Sjelljet e qytetarëve, që duhet të jenë sa më të përgjegjshëm, pra të mos përqafohen, të mos shtrëngojnë duart, por të ruajnë distancë me njëri-tjetrin, pasi virusi mund të transmetohet gjatë përqafimeve, prekjes së duarve apo objekteve. Ruajtja e distancës, higjiena, mbajtja e maskës në mjedise të grumbulluara, në supermarkete a dyqane që kanë mbi dy veta, do të na ndihmonte të ruanim veten dhe personat e tjerë që mund të kalojnë forma të rënda të sëmundjes që i pamë gjatë këtij shpërthimi epidemik në vendin tonë dhe të mos mbingarkojmë spitalet.” /abcnews.al/