“Legjionarët” e Kombëtares “mësyjnë” Turqinë, pas Muçit në Superligë edhe Arbnor Muja

schedule22:36 - 10 Shkurt, 2024

schedule 22:36 - 10 Shkurt, 2024

Jo vetëm Ernest Muçi. Turqia është kthyer në tokën e premtuar për shumë futbollistë shqiptarë, dhe ja ku vjen lajmi se në Superligën e këtij vendi do të luajë edhe Arbnor Muja. Lojtari ofensiv “kuqezi” u largua nga kampionët e Belgjikës, Antëerp, duke u bashkuar me Samsunspor, që luan në elitën turke.

Sipas mediave në Kosovë, kartoni i tij u pagua 2 milionë euro, ndërsa 1 milionë të tjera mund të jepen nëse realizohen disa objektiva. Muja firmosi kontratë 3.5 vjeçare dhe besohet se do të fitojë më shumë se 1 milionë euro rrogë në vit, shumë më tepër sesa në Belgjikë, ndërsa te Kombëtareja, “ylli” 25-vjeçar u promovua nga tekniku Sylvinho.

Ernest Muçi e realizoi të premten kalimin nga Legia Warzaw te Besiktas. Për sulmuesin e ri “kuqezi” u paguan 10 milionë euro, më shumë sesa parashikohej si vlerë kartoni, ndërsa ai gjithashtu firmosi për 3.5 vjet në klubin e Stambollit

Ndërkaq, në Superligën turke luajnë dy sulmues të tjerë të kombëtares, që janë edhe ndër lojtarët më në formë.

Sokol Cikalleshi ka 8 gola e 4 asistë në elitë për ekipin e tij, Konyaspor, ndërsa Rey Manaj ka 11 rrjeta në kampionat si dhe 4 në Kupën e Turqisë. Ndërkaq, Eduart Rroca, ndryshon skuadër në Ligën e Parë.

Mesfushori shqiptar u huazua nga Istanbulspor te Manisaspor deri në fund të sezonit, e më pas do të shihet se çfarë do të bëhet. Rroca u shpreh i lumtur që do të luajë në një kampionat që e njeh mirë, ndërsa këtë edicion ka luajtur 15 ndeshje në Superligën turke, ku ka shënuar një gol e ka shërbyer një asist, duke u penguar nga dëmtimet. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!