Jani Kaçi është nga ata që tregohet i drejtpërdrejtë. Ish-portieri legjendar ka dhënë një intervistë të gjatë, ku më së shumti flet për Skënderbeun dhe kërkon që të mos iu ndryshojë emri.
Mes të tjerash ai ka komentuar edhe situatën aktuale në të cilën është përfshirë futbollit. Klubet e Superiores kërkojnë nga qeveria plotësimin e katër kërkesave, që lidhen me taksimin dhe faljen e kamatëvonesave për borxhet e mëparshme.
Momentalisht është krijuar një tavolinë bisedimesh, por Liga Profesioniste e Futbollit kërkon të flasë drejtpërdrejt me kryeministrin Rama. Kjo për shkak se nuk besojnë se në Ministrinë e Financave do të gjejnë një zgjidhje, pasi edhe bisedimet e mëparshme kanë rezultuar thuajse nul.
Kaçi, ndërkohë thekson se politika historikisht e ka përdorur sportin. Madje ai shkon më tej në intervistën për “Panorama Sport”, duke bërë një krahasim të goditur dhe që normalisht shumëkujt nga bota e sportit nuk i pëlqen.
“Unë e kam thënë dhe e them që politika e ka përdorur sportin. Sporti është si një vajzë e bukur, që e kanë qejf të gjithë, por vetëm për një natë. Sportin duhet ta kenë qejf gjithë kohën. Jani Kaçi e ka këtë, e do sportin deri ditën e fundit dhe do të jetë i lumtur nëse vdes në fushën e futbollit”, shprehet Kaçi. /abcnews.al