Legjenda e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri u nderua në Prishtinë

schedule14:30 - 25 Korrik, 2019

schedule 14:30 - 25 Korrik, 2019

Veteranë nga të trojet shqiptare nderuan kujtimin e Fadil Vokrrit. Legjenda e Kosovës u nderua në një turne në Prishtinë ku morën pjesë veteranët vendas, ata të Flamurtarit të Vlorës dhe të Shkëndisë së Tetovës.

Nderim dhe vlerësim për një figure të madhe.

Në Prishtinë u realizua aktiviteti përkujtimor për Fadil Vokrrin, me legjendat e futbollit kosovar, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Flamurtarit të Vlorës.

Një risi për futbollin mbarë shqiptar, diçka që pritet të kthehet në tradicional në Prishtinë.

Yjet e Flamurtarit të dikurshëm të viteve 80-të ishin të pranishëm, me nismën e Vasil Ruçit, duke vendosur fillimisht kurora në memorialin dhe në varrin e ish-futbollistit të Prishtinës, Partizanit të Beogradit e ish-Jugosllavisë, si dhe ish-president i Federatës së Kosovës.

Homazhe në ditën e lindjes, edhe nga drejtuesit e Federatës, apo familjarë të Vokrrit.

Turneu i luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës u fitua nga veteranët e Shkëndisë së Tetovës nga Maqedonia e Veriut, që fituan fillimisht ndaj veteranëve të Flamurtarit të Vlorës, ndërsa në finale triumfuan ndaj veteranëve të Prishtinës.

Surpriza ishte rezervuar nga Vasil Ruçi e Kreshnik Cipi ,duke i dorezuar djalit te Fadil Vokrrit një foto të babait në stadiumin Flamurtari të Vlorës, në ndeshjen ndaj Partizanit të Beogradit.

Ky aktivitet pritet të organizohet edhe vitet e ardhshme në ditën e lindjes së Fadil Vokrrit. /abcnews.al