Legjenda e Formula 1, Jean Todt: Shqipëria, sukses me sportin!

schedule21:59 - 14 Dhjetor, 2019

schedule 21:59 - 14 Dhjetor, 2019

Legjenda e Formula 1, Jean Todt, ishte në Shqipëri, në një kongres ndërkombëtar të automobilizmit. Ish-shefi i Ferrarit, që fitoi tituj botërorë me Mikael Shumaherin, vendosi theksin tek edukimi i njerëzve për sigurinë në rrugë.

Nuk ishte vetëm sporti tema e vizitës së tij në Tiranë. Legjenda e Formula 1, ish-shefi i Ferrarit, Zhan Tod, u ndodh për herë të dytë në Shqipëri, ku theksi u vendos sidomos tek edukimi i njerëzve për sigurinë në rrugë.

Kënaqësi e veçantë që një njeri që është mësuar të fitojë tituj botërorë, këmbënguli te shmangia e aksidenteve në vendin tonë, ndërsa mori pjesë në Kongresin Rajonal Sportiv të Federatës së Automobilizmit.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu për kongresin rajonal të automobilizmit. Po shfrytëzoj mundësinë që të shpreh keqardhjen dhe ngushëllimin tim për katastrofën natyrore që ndodhi pak javë më parë, për dëmet në të gjithë vendin dhe për jetët e humbura”.

Todt u shpreh se pati takime me kryeministrin Rama, me kryetarin e Kuvendit, Ruçi, dhe me zyrtarë të tjerë për të diskutuar ndihmuar në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve për sjelljen në rrugë.

“Ne e dimë që Shqipëria është treguar e gatshme për të pritur aktivitete të motosportit në vend, duke përmendur si shembull Kartingun, që është i mirë për të hedhur bazat. Në 2016, ne dhamë ndihmë financiare klubin shqiptar për të zhvilluar themelet e këtij sporti. Ka shumë rëndësi që të rritet pjesëmarrja e fëmijëve dhe e të rinjve, në mënyrë që në të ardhmen të jenë jo vetëm pilotë, por edhe drejtues të përgjegjshëm mjetesh në rrugë. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të ketë forcim të ligjit, por edhe rritje të sigurisë së makinave, të infrastrukturës rrugore, por edhe të sjelljes së drejtuesve të mjeteve, por edhe të shërbimit në rast aksidenti”.

Presidenti i Klubit Automobilistik të Shqipërisë, Niko Leka, pasi tregoi për atë që është bërë në sport, foli për të njëjtën temë.

E si mund të mungonte një pyetje për gjendjen shëndetësore të Mikael Shumaherit, 7 herë kampionit të botës në Formula 1? “Ndershmërisht, kjo nuk është temë e konferencës. Është një çështje private. Ju e dini se Mikael Shumaheri ka qenë gjithnjë një mik i afërt i imi, dhe po ashtu edhe familja e tij, por kjo është çështje private”./.abcnews.al