Ishte e qartë se emocionet po I ndjente pak si shumë. Juta Lerdam nuk ishte favorite në pistën e akullit në Stadiumin e Patinazhit në Milano, ndonëse ëndrra e saj ishte që të fitonte medaljen e artë olimpike në Lojrat Dimërore që po zhvillohen në Itali.
Holandezja 29-vjeçare kishte si mbështetje në tribunë familjen, miq e shokë, por edhe të dashurin, që është Xhek Pol, një personazh i jutjubit dhe një boksier amator.
Ajo ia dha një shenjë amerikanit, përpara nisjes së garës, ndërsa rivalet kryesore ishin patriotja e saj, Femke Kok, lidere e Kupës së Botës, dhe japonezja Takagi, rekordmenia olimpike deri në këtë garë.
Ajo që ndodhi padyshim që ishte realizim i ëndrrës, përveçse edhe rekord olimpik.
Lerdam fitoi me kohën 1’12”31, ndërsa gara ishte e shkëlqyer pasi edhe Femke Kok e theu përpara saj rekordin olimpik.
Rekordi botëror i amerikanes Britani Boui mbeti për t’u thyer ndonjëherë tjetër, dhe është 70 të qindat më i shpejtë.
Lerdam festoi medaljen e saj, ndërsa i dashuri Xhek Pol lumturohej në tribunë, ndërsa Kok mbeti 28 të qindat prapa. Japonezja Takagi, ish-kampionia olimpike në Pekin katër vjet më parë doli e treta.
Në Kinë kishte mundur pikërisht holandezen Lerdam, e cila e mori revanshin e saj.


