Lebron Xhejms u bë dy herë lajm kryesor brenda një dite. Ylli I basketbollit amerikan vendosi një rekord të ri, si dhe bëri akuza të rënda për korrupsion në kampionatin e kolegjeve.
Asnjë basketbollist më parë nuk e kishte arritur këtë.
Lebron Xhejms u bë i pari “absolut” në NBA që ka të paktën 30 000 pikë, 8 000 topa në tabela dhe 8 000 asiste në karrierë, shifra që ai do të vazhdojë t’i rrisë.
Nëse nuk do t’ia dalë të shpallet më i miri i të gjitha kohëve, e ka të sigurt se do të jetë më i kompletuari në histori.
Lebron e mbërriti rekordin e ri me tripëll dabëllin që realizoi në fitoren e vështirë të Klivlendit ndaj Bruklin Netsit, me shifrat 129-123.
Xhejms shënoi 31 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 11 asistë, duke pasur 67 tripëll dabëlla në karrierë, i dyti ndër lojtarët që luajnë ende, pas Rasëll Uestbrukut.
Po ashtu, ai ka një mesatare tripëll dabëlli gjatë muajit shkurt me 27 pikë, 10.5 topa në tabela e 10.5 asistë.
Vetëm 3 basketbollistë të tjerë mund të mburren se ia kanë dalë gjatë gjithë historisë së NBA-së dhe këta janë Oskar Robertson Uilti Çembërlen dhe Rasëll Uestbruk.
Gjithsesi, synimi më i madh i Lebronit është që të udhëheqë Klivlendin drejt finales së madhe të NBA-së dhe mundësisht të fitojë titullin, që do të ishte i katërti në karrierën e tij.
Gjithsesi, edhe ky rekord i madh sikur u la në hije nga akuzat e rënda që superylli bëri për kampionatin e kolegjeve në Shtetet e Bashkuara.
Ditët e fundit kanë shpërthyer skandale në ligën universitare të basketbollit, pasi janë ofruar shpërblime të paligjshme për studentë të ndryshëm që të zgjedhin një skuadër të caktuar të NBA-së.
“Nuk e di nëse do të gjejnë ndonjë mënyrë për ta rregulluar këtë punë, – u shpreh Lebroni, – Kjo gjë po ndodh për kaq shumë vite me radhë. Unë nuk kam qenë ndonjëherë pjesë e saj, nuk i njoh rregullat e atij kampionati, por unë e di sesa shumë para fitojnë trajnerët e kolegjeve, sesa shumë fitojnë nga sportistët e rinj. Kampionati amerikan i kolegjeve është i korruptuar. Më vjen keq, se ky do të jetë lajm I madh, por është i korruptuar”.
Lebron kërkon nga NBA që të secila skuadër të krijojë akademinë e saj, siç ndodh me sportet në Europë, dhe të krijojë kampionatin e vet të të rinjve./abcnews.al