Lebron James luajti për herë të parë me fanelën e skuadrës së tij të re, Los Angelos Lakers. Ylli më i madh i basketbollit botëror pësoi humbje, ndërsa pret fillimin e sezonit.
Debutim i hidhur, por për fat jo zyrtar.
Lebron James e veshi për herë të parë në një ndeshje fanelën e Los Angelos Lakers, në humbjen bindëse në shtëpi ndaj Denverit.
Tifozët e të mbiquajturit “Mbreti” mund të mos shqetësohen shumë, pasi ky nuk është fillimi i sezonit të vërtetë të NBA-së, por vetëm parasezoni, pra ndeshje përgatitore, edhe pse mes ekipeve të elitës.
Denver fitoi 124-107 në “Stapels Center”, në një sfidë ku James shënoi vetëm 9 pikë, kapi 3 topa në tabela e shërbeu 3 asistë.
Gjithsesi, jo keq pasi ai luajti vetëm 15 minuta.
Më shumë se ai shënuan Javale Macgee, Brandon Ingram dhe Kyle Kuzma, veçse ata ishin në parket për shumë më tepër minuta sesa kapiteni i tyre i ri.
Parasezoni do të zgjasë deri në 12 Tetor dhe çdo skuadër do të luajë disa ndeshje.
Vetë NBA do të nisë në 16 Tetor dhe sezoni i rregullt do të përfundojë në 10 Prill, për t’i lenë vendin Play Off-it.
Vetë Lebroni ka deklaruar se nuk ka nevojë për parasezonin që të jetë gati për sfidën e tij të re./abcnews.al