Prej disa ditësh tashmë duket se “fantazisti” i sulmit të Milan, Rafael Leao ka ndezur “motorrët” në këtë fund sezoni, teksa me asistimet dhe performancat e tij fantastike i siguroi “kuqezinjve” një vend në gjysmë-finalen e Champions League, pas më shumë se 15 vitesh pritje.
Mirëpo, pas sigurimit të gjysmë-finales dhe rikthimit në formë të portugezit tashmë bordi i Milan i është rikthyer temës së rinovimit me 23-vjeçar, proces ky që ka ngecur prej muajsh ku problemi kryesor është paga që Leao kërkon, me anësorin që pretendon shumën prej 7 milionë eurosh në sezon, ndërsa “djajtë” e Milanos kanë hedhur në “tryezë” propozimin prej 6 milionë eurosh plus bonuset në përfundim të sezonit.
Problem gjithashtu është dhe dëmshpërblimi i Sporting Lisbon (klubi ku Leao ka nisur karrierën si profesionist) në rast se anësori largohet me parametra zero nga “djajtë”. “Djajtë” siguruan shërbimet e portugezit nga francezët e Lille, teksa i paguan këtyre të fundit plot 30 milionë euro, si dhe i siguroi francezëve 10 përqind të vlerës në rast se Leao do të shitet te një tjetër klub.
Megjithatë, një largim i 23-vjeçarit si lojtar i lirë, do të dëmtonte francezët, të cilët kanë humbur çështjen në Gjykatën Federale të Zvicrës e për këtë arsye në rast se Leao vendos të mos rinovojë klubi i Lille i detyrohet portugezëve të Sporting plot 20 milionë euro, shifër kjo jo e vogël për një klub në Portugali.
Deri më tani gjithccka po shkon mirë përsa i përket rinovimit dhe sipas mediave italiane pritet që një kontratë e re të firmoset para “derbit mitik” në gjysmë-finalet e UEFA Champions League. /i.m /abcnews.al