Le Monde publikon një hartë të Kosovës: Ky është territori i ri

schedule21:48 - 24 Shtator, 2018

schedule 21:48 - 24 Shtator, 2018

Gazeta “Le Monde” ka publikuar një hartë të Kosovës me ndarje etnike, ku pjesa e veriut do t’i kalojë Serbisë, ndërsa Mevdegja dhe Presheva do të kalojnë në territorin kosovar. Gjithashtu media franceze ka publikuar edhe dy artikuj lidhur temën e rishikimit të kufijve.

E përditshmja franceze “Le Monde” botoi dy artikuj rreth shkëmbimit të mundshëm të territoreve mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjithashtu në llogarinë në Tuiter, gazeta në fjalë botoi një hartë të Kosovës, së bashku me mbishkrimin: “Midis Kosovës dhe Serbisë, mozaiku etnik, infrastruktura kryesore dhe ndërtesat kulturore janë pengesa për projektin e ri-përcaktimit të kufirit”. Në hartë është treguar sesi do të duken “kufijtë e rinj në mes të Serbisë dhe Kosovës”, ku pjesa veriore e Kosovës, me komunat serbe të Leposaviçit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës, do të kalonin në Serbi, ndërsa Kosovës do t’i bashkoheshin territoret e komunës së Medvegjës dhe Luginës së Preshevës, e populluar kryesisht me popullsi shqiptare.

Në hartë janë theksuar katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të cilat thotë se janë “jashtë kontrollit, nuk janë të rregulluara me ligj dhe janë pre e grupeve mafioze”. Gazeta vë në dukje se “shkëmbimi i territorit në bazë të kritereve etnike përbën shqetësim” dhe se “në debatin për shkëmbimin e mundshëm të kufirit midis të dy palëve përplasen me njëra-tjetrën etika dhe pragmatizmi”. Gazeta raporton një shpjegim të gjeografit francez Michel Foucher. “Kufijtë janë të paprekshëm nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare”, Tha Foucher duke nënvizuar se kufijt mund të zhvendoset në qoftë se të dy palët të arrijnë një marrëveshje.

Gazeta franceze vë në dukje se, në rastin e shkëmbimit territorial mes Beogradit dhe Prishtinës, është hera e parë që bëhet fjalë në lidhje me kufijtë e rinj të vizatuar mbi baza krejtësisht etnike, dhe jo në linjat e mëparshme administrative të republikave përbërëse ose rajoneve autonome të ish-Jugosllavisë. Gjithashtu “Le Monde”, nënvizon se projekti i ri-vendosjes së kufijve të Ballkanit Perëndimor paraqitet si një zgjidhje për stabilitetin pas 20 viteve të konfliktit të ngrirë, por thekson se banorët e zonave përkatëse kanë përsëri frikë nga një “spastrim etnik”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!