Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ushtrojnë presion për finalizimin e marrëveshjes së Prespës në Maqedoni, në mënyrë që Shkupi të anëtarësohet sa më shpejt në NATO. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov për mediat greke.
Moska vijon të shprehë hapur kundërshtimin e saj për marrëveshjen e Prespës të arritur mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit. Pas takimit të kryeministrit grek Aleksis Tsipras dhe presidentit rus Putin në Kremlin, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ushtrojnë presion për finalizimin e procesit të marrëveshjes në fjalë. Sipas Lavrov, kjo po bëhet që Maqedonia të marrë sa më parë anëtarësimin në NATO.
Pas dështimit të referendumit, ndryshimet kushtetuese të domosdoshme për hyrjen në fuqi të marrëveshjes në Maqedoni, u vendosën në parlamentin e vendit. Lavrov theksoi se në 19 Tetor, deputetët maqedonas u shantazhuan dhe u korruptuan, përmes ndërhyrjeve të drejtpërdrejta nga diplomatët e huaj, përfshirë ambasadorin amerikan në Shkup. Ministri i Jashtëm rus këmbënguli se po bëhen përpjekje intensive për të finalizuar procesin deri në fillim të vitit 2019. Ky nxitim i shërben vetëm qëllimit të Uashingtonit, për të pranuar urgjentisht Shkupin në NATO, pohoi Sergei Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.
Deklaratat Lavrov i bëri në një intervistë për të përditshmen greke, “Iefimerida”. Ndërkohë reagime të ashpra janë shkaktuar pas deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë Zaev, se gjuha maqedonase duhet të mësohet edhe në Greqi. Pretendimet e papërgjegjshme dhe provokuese të Zaevit, sipas ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos, dëshmojnë se Shkupi nuk është gati të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare. Për të, Marrëveshja e Prespës është praktikisht e vdekur. Sipas mediave greke, deklarata e Zaev e ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e partive tjera opozitare si Potami, ndaj nuk dihet nëse ato do ta votojnë marrëveshjen kur ajo të vendoset para deputetëve grekë. Analistët politikë vlerësojnë se ratifikimi i marrëveshjes në Kuvendin e Athinës, mund t’i përshpejtojë zgjedhjet, madje para muajit Maj./abcnews.al