Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar të enjten me presidentin e Kubës, Miguel Diaz-Canel dhe ministrin e Jashtëm kubanez, Bruno Rodriguez në Havana, teksa tenton të forcojë lidhjet e Rusisë me aleatët në Amerikën Latine.
Rusia, e goditur nga sanksionet e Perëndimit, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, po synon të forcojë lidhjet politike dhe ato ekonomike me shtetet që e kundërshtojnë, atë që e cilësojnë “hegjemoni amerikane”, shkruan REL.
Lavrov u ka thënë gazetarëve se Rusia dhe Kuba përballen me sanksione të SHBA-së, andaj edhe e kuptojnë njëra-tjetrën.
“Ne nuk mund të pajtohemi që bota të vazhdojë jetesën pafundësisht sipas rregullave amerikane”, ka thënë Lavrov në një konferencë televizive.
“Tensionet janë duke u përshkallëzuar në arenën ndërkombëtare, dhe tentimet e Perëndimit për ta diktuar gatishmërinë e tij, dhe për ta injoruar pozitën e tjetrit, sa shkojnë e rriten”.
Ministri i Jashtëm rus e ka vizituar ditëve të fundit edhe Brazilin, Venezuelën dhe Nikaraguan.