Largohesh nga PD nëse Basha nuk të kandidon për deputet? Këlliçi i sigurt: Jam pjesë e listave

schedule22:34 - 15 Shkurt, 2021

schedule 22:34 - 15 Shkurt, 2021

Këtë të hënën në “Log” me Endri Xhafon u mblodhën të rinjtë e “vjetër” të politikës. Eljo Hysko kryetar i FRESSH, Belind Këlliçi kryetar i FRPD-së, Fabian Topollaj nga Bindja Demokratike dhe Endrit Shabani nga Nisma Thurje iu përgjigjën gjatë pjesës së parë të emisionit disa pyetjeve thumbuese të përgatitura nga Xhafo.

Duke folur për fillimet e tij pranë Partisë Socialiste, Eljo Hysko tha se është një avantazh të nisësh të merresh me politikë në moshë të vogël, pasi ke “gjithë energjinë e botës që të shtyn përpara”, por ai shtoi më tej se nevojitet edhe eksperienca të cilën e merre me kohën.

Belind Këlliçi nga ana tjetër tha se ky është një moment i mirë për vendin, pasi përqindja e të rinjve që janë shprehur pozitivisht për të marrë pjesë në zgjedhje, është më e madhja se gjithë herët e tjera. I pyetur nëse do të ishte bërë kryetar i FRESSH-it nëse nuk do të kishte njohur Erion Veliajn, Hysko u shpreh: Besoj që Erioni që ka qenë një nga mentorët më të mirë në PS, por besoj se po do isha bërë.”

Ndërsa i përgjigjej pyetësorit të shkurtër të përgatitur nga Endri Xhafo, Hysko tha se Edi Rama do ta marrë mandatin e tretë sepse PS e meriton një mandat të tretë. Kurse për aleancën e PD me LSI, kreu i FRESSH tha se për të nuk ka rëndësi se cili është aleati i PD, apo LSI, për sa kohë që ato “nuk sjellin asnjë alternativë të vlefshme.”

A është Erion Veliaj pasuesi i Edi Ramës në parti? Eljo Hysko thotë se beson se Rama ka ende shumë për të dhënë në politikën shqiptare.

Kurse, Këlliçi i pyetur se çfarë do të bëjë nëse Basha nuk e fut në lista edhe këtë herë, tha se është i sigurt që do të jetë në listë. Për aleancën PD-LSI, ai thotë se kjo është një parti me të rinj dhe se është një nevojë për ndryshim.

Komisioni i Përzgjedhës i kandidatëve për deputetë në PD, sipas tij ishte një risi për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve, ndërsa shtoi se pati debate të brendshme.

Cili është virtyti që do ta karakterizonte më mirë Lulzim Bashën sipas Belind Këlliçit? “- Është pa asnjë lidhje me krimin e organizuar dhe me asnjë person me precedent.”

Fabian Topollaj i pyetur nëse do të kthehej në PD nëse Basha do t’i siguronte një vend për deputet në lista, tha se sigurimi i një ulëseje në Parlament nuk ishte shkaku që u largua nga kjo forcë.

A do të kishte pasur PD në zgjedhjet e fundit parlamentare, 200 e ca mijë vota më pak, nëse kryetari i saj do kishte qenë i ndjeri Sokol Olldashi? Sipas Topollajt, do të kishte më pak diferencë, por sipas tij kjo nuk do të ishte arsye që PD të fitonte patjetër.

Ai theksoi se nuk do të mjaftonte thjesht të ishte Olldashi, por duhet të bëheshim shumë gjëra të tjera ndryshe nga Basha për të arritur suksesin. Por, kush do të ishte sipas tij udhëheqësi më i mirë për PD, Olldashi apo Patozi? Topollaj thotë se mendon se do të kishte qenë Sokol Olldashi, pasi sipas tij kishte disa tipare më të mira se Patozi.

Endrit Shabani nga ana tjetër tha se nuk synon të bëhet deputet, dhe për këtë arsye ai nuk do të jetë i pari në asnjë zonë ku synon të garojë.

Kudo që do garoj, do jem më pas, për të shtyrë përpara qytetarët që mendoj se ia vlen të jenë në parlament.”

Ndërsa, i pyetur se pse Rudina Hajdari po kandidon në Elbasan kur ajo donte Shkodrën, Shabani tha se ajo mendon se aty mund të japë një kontribut më shumë për Thurjen.

Por kush është kundërshtari kryesor i Nismës Thurje? LVV, koalicioni Patozi, Murrizi apo 3 forcat tradicionale, Endrit Shabani tha se zgjedh alternativën e tretë ndërsa shtoi se kundërshtari kryesor mbetet mos votimi i qytetarëve.

Pse fenomeni Vetëvendosje nuk prodhohet në Shqipëri?

“Me këtë sistem zgjedhor, Kurti nuk do të kishte të njëjtin rezultat. Sistemi është shumë i ndryshëm. Vullneti i qytetarëve përfaqësohet drejt.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!