Michael Ngoo luajti tre sezone me Tiranën, ekip me të cilin shënoi, dhuroi asiste dhe fitoi titullin kampion sezonin e kaluar. Ditët e para të gushtit sollën ndarjen e tij me klubin bardheblu, temë të cilën e sqaron në një prononcim për Top Channel.
Bomberi anglez pretendon se ka tre rroga të pamarra nga presidenti Halili, përveç bonuseve të titullit. Ky i fundit ka deklaruar se 28-vjeçari u largua se donte të tërhiqej nga futbolli, opsion që kundërshtohet nga Ngoo, i cili e quan veten si “çun Tirone”.
LARGIMI – “Nuk është e vërtet ajo që ka thënë presidenti Halili për mua, unë e respektoj por nuk është e vërtetë. Unë ja kam thënë në sy presidentit, kur ishte edhe Arbi edhe Mario dhe disa të tjerë aty. I thashë që unë dua shumë të luaj për Tiranën, sidomos në Kupat e Europës. Doja të isha një ndihmë për klubin”.
TIRANA – “Unë kam qenë atje për gati tre vite. Sezoni i fundit u menaxhua shumë mirë edhe nga Arbi nga ana sportive, fituam titullin. Unë i kam thënë qartë dhe nuk mund ta përgënjeshtrojë askush, as presidenti dhe askush, unë jam në situatë të vështirë për momentin, më duhen paratë. Ato para nuk mi dhanë dhe mua mu desh të kthehem në Angli. Me pak fjalë, presidenti e di shumë mirë që nuk mundi të më plotësojë kërkesat e mija financiare dhe unë ika, kaq”.
PRESIDENTI – “Kur fituam titullin pata një ofertë nga Tirana për të rinovuar, por unë pata një bisede me presidentin përpara finales së kupës. Nuk isha në gjendje të mirë psikologjike, pasi kisha disa probleme në familje. Kisha 3 muaj pa u paguar. I kërkova presidentit nëse mund të më paguante ato para, pasi kisha një situatë jo të mirë këtu në Angli. Ai më pagoi diçka, por nuk më pagoi ato që më kishte premtuar në tavolinë, kështu që unë nuk mund të pranoja ofertën pasi për mua familja është e para. Kështu erdha në Angli që të zgjidhja problemet që kisha. Më pas erdhën Kupat e Europës dhe unë pata sërish kontakte me ish-drejtorin Arbi Laçi. Por unë ja sqarova për situatën që pata me nënën time dhe kjo ishte më e rëndësishme. Unë do të doja shumë t’i ndihmoj, por në atë moment nuk mundesha”.
SITUATA – “Tani në Londër jam me familjen time se më kishte munguar shumë pasi isha në Shqipëri dhe në periudhën e mbylljes së vendit nuk kisha as mundësi të vija që t’i shihja. Por tani jam këtu në Londër dhe po stërvitem vetëm, po krijoj muskujt e nevojshëm që më duhen. Kjo është pak a shumë e përditshmja ime, qëndroj me familjen dhe stërvitem. Kam pasur mundësi që të stërvitem edhe në ndonjë klub këtu dhe miqtë e mi që kam ma kanë rekomanduar po nuk pranova, preferoj të stërvitem vetëm dhe ka një trajner personal”.
RIKTHIMI – “Unë tani jam më mirë dhe i kam thënë edhe drejtuesve të Tiranës që kur të përfundoni së paguari pagat e prapambetura, të vitit të shkuar dhe disa bonuse që kisha në kontratë për fitimin e titullit dhe gjëra të tilla për të cilat më thanë që do të përfundojnë këtë javë, jam i hapur të flas. Unë jam një çun Tirone ju e dini, kam marrëdhënie shumë të mirë edhe me tifozët e Tiranës. Partizani është një skuadër e mirë dhe unë e respektoj, por unë jam çun Tirone”. /abcnews.al