Largimi nga Siria, Trump: Së shpejti jemi jashtë

schedule20:50 - 30 Mars, 2018

schedule 20:50 - 30 Mars, 2018

Presidenti Trump ka shprehur vullnetin e tij për të tërhequr trupat nga Siria, pasi sipas tij, qëllimi i luftës kundër ISIS është arritur. Por për disa zyrtarë të administratës amerikane, situata reale është shumë larg të qënurit e tillë.

Presidenti Donald Trump ka shprehur dëshirën e tij për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe ka nisur të diskutojë hartimin e planit me këshilltarët e tij. Por dy pjesëtarë të administratës kanë deklaruar se kjo lëvizje e tij nuk përkon me realitetin që është në terren dhe as me interesat e Shteteve të Bashkuara në Siri.

Në një fjalim të mbajtur të enjten në Riçfilld të Ohajos, Trump shprehu vullnetin për të tërhequr trupat amerikane nga vendi i Lindjes së Mesme dhe t’ia dorëzojë përgjegjësinë për sigurinë vendeve fqinje.

“Le të merren të tjerët tani. Shpejt, shumë shpejt, ne do të jemi jashtë dhe do të mbështesim vendin tonë, të cilit i përkasim e ku duam të jetojmë”, tha Trump.

Për pjesëtarët e administratës, të cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters” në kushte anonimati, ky fjalim tregon se kreu i shtetit i ka nisur përgatitjet me këshilltarët e tij, të cilët i ka pyetur disa herë me zë të lartë, përse duhet që trupat amerikane t’u vihen pas këmba këmbës militantëve?

Trump e ka bërë të qartë se sapo ISIS dhe mbeturinat e tij të jenë asgjësuar Shtetet e Bashkuara do t’ua kalojnë kujdesin për sigurinë vendeve të tjera; por kjo situatë, sipas burimeve të “Reuters”, është ende shumë larg të qënit reale.

Burimet thonë se këshilltarët për sigurinë i kanë sugjeruar Trump që trupat amerikane të qëndrojnë edhe për të paktën dy vjet të tjera për t’u siguruar që militantët janë mundur dhe që Siria të mos kthehet në bazë për Iranin. Gjithashtu, shtojnë ato, strategjia e mirëfilltë për realizimin e projektit të presidentit duhet ende të përgatitet./abcnews.al