Largimi nga Gjilani dhe një rikthim në Superiore, Jonuzi flet për ABC News

schedule19:19 - 30 Gusht, 2020

schedule 19:19 - 30 Gusht, 2020

Mesfushori Fjoart Jonuzi, u largua zyrtarisht dje nga skuadra e Gjilanit, pas një sezoni në IPKO Superliga. 24-vjeçari ka pasur dhe dy eksperienca në Superiore, ku ka luajtur që në moshë të re me skuadra si Kukësi e Laçi.

Pas largimit të Jonuzit nga skuadra dardane, flitej shumë për një kalim të tij të Vllaznia, me ekipin shkodran që ka shfaqur interes. Vetë Jonuzi, i kontaktuar nga ABC News, ka folur për të ardhmen e tij, si dhe ka shpjeguar diferencën mes kampionatit shqiptar dhe atij kosovar.

– Ditën e djeshme, konfirmuat largimin tuaj nga skuadra e Gjilanit. A do e shohim sërish Jonuzin në Superiore?

“Po, dje i ndamë rrugët me Gjilanin, duke iu uruar më të mirat. Nuk mund ta them saktësisht se do të kthehem në Superiore. Jam në disa bisedime, por në ditët në vijim do të vendos”.

– Është folur shumë për një interesim nga skuadra e Vllaznisë për firmën tuaj. Mund të na zbuloni diçka më shumë?

“Për momentin, nuk mund të flas me emra, por e thashë edhe më parë që në ditët në vijim do vendos konkretisht për të ardhmen time”.

– Si një ndër futbollistët që keni provuar të luani në të dyja elitat e futbollit shqiptar, cilat janë diferencat mes Superiores dhe IPKO Superligës?

“Në këto vitet e fundit, Superliga në Kosovë është në rritje dhe mendoj që shumë shpejt do arrij nivelin e Shqipërisë mungesë kanë infrastrukturën, por mendoj që Superiorja në Shqipëri, ka futboll më taktik. Kjo mendoj se është diferenca mes dy kampionateve”, u shpreh Jonuzi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!