Largimi i sigurt, Thiago Silva me fjalë lamtumire para finales ndaj Bayernit

schedule14:00 - 21 Gusht, 2020

schedule 14:00 - 21 Gusht, 2020

Finalja kundër Bayern Munchen me shumë mundësi do të jetë ndeshja e fundit për kapitenin e PSG-së, Thiago Silva. Kontrata e brazilianit me klubin francez përfundon në momentin kur të mbarojë dhe aventura europiane, në të cilën ata arritën më në fund të shkonin deri në finale. Në një intervistë për kanalin e klubit, Silva kujton përmbysjen e frikshme kundër Atalantës si dhe zbulon nëse do të vazhdojë apo jo karrierën e tij në Paris.

“Kur isha në fushë kundër Atalantës nuk isha shumë i sigurt nëse ajo do të ishte ndeshja ime e fundit me PSG-në, apo do të kisha mundësinë të luaja edhe një ndeshje tjetër. Nuk mund të luaja me këtë mendim dhe kjo është mëse e natyrshme. Sigurisht jam shumë i lumtur për gjithçka që kam kaluar me këtë klub. Dhe nëse kundër Bayernit do të jetë ndeshja e fundit, sërish do të jem shumë i kënaqur,” deklaron qëndërmbrojtësi për “PSG TV”.

“Besoj se kam dhënë maksimumin nga vetja për këtë  klub. Jam shumë i nderuar që isha pjesë e revolucionit të ekipit, ku sigurisht nuk kanë munguar zhgënjimet apo presionet. Jam shumë mirënjohës dhe do të jem gjatë gjithë jetës sime për atë që kam kaluar në Paris.

Bayerni? Të  gjithë ata që e ndjekin futbollin e konsiderojnë ekipin bavarez si shembull për tu ndjekur. Ata janë një ekip që luajnë me intensitet të lartë dhe kanë shumë lojtarë cilësorë. Bayerni meriton thjesht respekt, por ne duhet të luajmë lojën tonë ashu siç kemi bërë gjatë gjithë sezonit nëse duam që të arrijmë tek trofeu,” mbyll Thiago Silva. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!