Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka shprehur shqetësimin për emërimin e kreut të ri të SPAK, ndërkohë që Arben Krajës i mbaron mandati.
Në një postim në rrjetet sociale, duke iu referuar raportimeve në media, Bardhi shkruan se janë shqetësuese lajmet për paracaktimin nga qeveria të kreut të ri të Strukturës së Posaçme. Demokrati nënvizon se SPAK ka nevojë për nxitje dhe mbështetje.
“Lajmet për paracaktimin nga Qeveria të Kreut të ri të SPAK janë shqetësuese. SPAK ka nevojë për nxitje/mbështetje dhe çdo ndryshim në këtë moment do të ishte ndërhyrje në hetimet që SPAK ka në proces, përfshirë megaaferën e inceneratorëve!” shkruan Bardhi.
Pas një periudhe 3-vjeçare kreu i SPAK, Arben Kraja është drejt largimit. Krajës i përfundon mandati në datën 18 dhjetor dhe si detyrim KLP duhet të hapë 3 muaj para garën.
Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Arben Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite dhe nuk ka të drejtë rizgjedhje.
Prokurori Arben Kraja u zgjodh kreu i SPAK, njohur si Struktura e Posaçme Anti-Korrupsionit më 19 dhjetor 2019. /abcnews.al