Thomas Strakosha do të ndahet me Lazion në fund të sezonit. Portieri i kombëtares sonë ka humbur vendin e titullarit këtë sezon te Lazio dhe duket se e ka humbur dëshirën për të vazhduar në kryeqytetin italian.
Il Messaggero, në edicionin e sotëm të saj, raporton se Strakosha ka marrë vendimin përfundimtar për të mos rinovuar me Lazion. Ai e priste deri në fund të vitit të shkuar një telefonatë për të rinovuar dhe ajo nuk erdhi, teksa tashmë kanë skaduar të gjitha afatet.
Kontrata aktuale përfundon në verën e vitit të ardhshëm dhe largimi do ndodhë në merkaton e ardhshme, ku Lazio do provojë të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij. Duhet të themi se Strakosha u ble 75 mijë euro nga Salernitana 5 vite më parë.
Në tavolinën e 25-vjeçarit ka disa oferta. Premier League është një opsion, por dëshira e Strakoshës është Borussia Dortmund. Këtë e ka treguar edhe vetë ai, teksa ka shtuar se është i hapur për aventura të reja. Gjermanët kanë shfaqur interes për të. /abcnews.al