Lara Colturi sërish në podium/ Ylli i skive alpine shkëlqen sërish në Kupën e Botës

schedule23:00 - 8 Mars, 2025

schedule 23:00 - 8 Mars, 2025

Një tjetër paraqitje e madhe dhe një podium. Lara Kolturi vazhdon paraqitjet e saj të shkëlqyera në Kupën e Botës në ski alpine, duke sfiduar sportiste me karrierë shumë më të gjatë e përvojë tepër më të madhe.

Tetëmbëdhjetëvjeçarja italo-shqiptare doli e treta në disiplinën e saj të preferuar të sllallomit gjigand, në garat që këtë fundjavë mbahen në Are të Suedisë.

Skiatorja kuqezi realizoi dy zbritje thuajse të njëjta, të parën me kohën 57.04 dhe të dytën me 57.06.

Koha e përgjithshme e saj ishte 1’54’10, e lënë prapa vetëm nga kryesuesja e Kupës së Botës, italiania Federika Brinjone dhe neozelandezja Elisë Robinson.

Kolturi e humbi vendin e dytë vetëm për 7 të qindat, ndërsa është pesë vjet më e re sesa Robinson, dhe shumë më e vogël sesa 34-vjeçarja Brinjone.

Kolturi është e teta në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës me 564 pikë, shumë më mirë sesa objektivi, ndërsa është e shkëlqyer në sllallomin gjigand, ku mban vendin e katërt me 334 pikë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!