Gjërat kanë marrë për mirë te Barcelona prej momentit që në krye të klubit u rikthye Joan Laporta. Katalanasit po kalojnë një moment të vështirë ekonomik, por kreu i klubit iberik po bën të pamundurën për të përforcuar skuadrën e Roland Koeman.
Çështja kryesore që duhet zgjidhur sa më shpejt është Leo Messi. Simboli i Barcelonës del lojtar i lirë më 30 qershor dhe tifozët po presin rinovimin. Optimizmi nuk mungon dhe Laporta flet në lidhje me këtë temë në prononcimin e fundit.
“Do të më pëlqente të thoja që negociatat janë mbyllur tashmë, por nuk është kështu. Megjithatë, bisedimet po shkojnë në mënyrën e duhur, po punojmë për ta konkretizuar sa më shpejt këtë çështje.
Do të ishte komode për Leon edhe për ne. Nëse ia dalim të rinovojmë me të do të ketë një efekt zinxhir pozitiv. Jemi optimistë dhe të mbushur me besim, pasi Leo dëshiron të qëndrojë. Po bëjmë maksimumin për t’i siguruar atij një ekip sa më konkurrues.
Ne sapo kemi siguruar shërbimet e Sergio Agueros, i cili në grumbullimin me Argjentinën në Kupën e Amerikës i kërkon çdo ditë Leos të firmosë kontratën e re në mënyrë që të luajnë së bashku te Barcelona“, deklaroi Laporta. /abcnews.al

