Sot iu dha lamtumira e fundit një prej emrave më të shquar të kinematografisë shqiptare, regjisorit artistit të popullit Dhimitër Anagnosti. Pas një jete të dedikuar artit dhe kulturës shqiptare, trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit në fshatin e tij të lindjes, Vuno, aty ku ai kishte lënë amanet të prehej.
Familjare, të afërm, miq, kolegë, personalitete dhe dashamirës të kinemasë shqiptare u mblodhën për të nderuar figurën e tij të paharruar. Dhimitër Anagnosti do të kujtohet si një nga themeluesit e artit filmik në Shqipëri, autor i dhjetëra filmave të njohur që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare dhe në kujtesën e shumë brezave.
Për aktorin e njohur Timo Flloko, Dhimitër Anagnosti ishte si një ‘guru’ për të gjithë artistët shqiptarë.
“Njeri i madh, të mëdhenjtë kthehen në vendin ku kanë lindur. Është një shenjë e thellë dhe e fuqishme që e bëjnë njerëz si Dhimitër Anagnosti, i cili e pasqyroi jetën e Kombit të vet trimërisht me një realizëm të thellë, pa hequr vlerat e vërteta të momenteve historike të Kombit. Në cdo moment ishte i drejtë, i vërtetë. Për ne aktorët ai ka qenë një guru, na ka udhëhequr, kam patur fatin që kam luajtur në filmat e tij, kam mësuar prej tij. E kam patur mësues, udhëheqës të mendimit, mjeshtrimit. Shpreh ngushëllimet e mia, gjithë artdashësve, familjes sigurisht, Rozës një artiste po aq e jashtëzakonshme, që bashkë bëjnë një binom të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, vajzat edhe të gjithë të dashurit e vet” u shpreh ai.
I pranishëm në ceremoninë e lamtumirës, kreu i Bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo vlerësoi figurën e regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti.
“Fjalët janë të tepërta për artistin e madh Dhimitër Anagnosti. Madhështia e tij tregohet me vepra. Është treguar me vite me veprën e tij e cila do të mbesë gjallë në kujtesën e shqiptarëve. Ai ka zgjedhur vendlindjen e tij, Vunoin për t’u prehur dhe Vunoi vetë do të jetë më krenar për të. Ngushëllime familjarëve”-tha Tavo.
Vlerësim për figurën e Dhimitër Anagnostit dha edhe Prefekti I Vlorës, Plator Nesturi.
“Ka ardhur te gurët e shtëpisë së tij. Ka bërë film, e ka jetësuar pavarësisht se Dhimitër Anagnosti ishte i gjithë Shqipërisë, lidhja e tij me këtë vend me fshatin me zonën e bregdetit ka qenë gjithmonë e thellë. Dhe në këtë kuadër këtu ai gjente prehjen e tij. Megjithatë, ajo cfarë mbetet është vepra dhe me veprën e tij ne kemi të memorizuar në të gjitha aspektet dhe do na shërbejë të gjithëve dhe brezave që do vijnë dhe ky është jo një amanet por është një element shumë i vyer për atë cfarë ka kultura shqiptare, cfarë do i mungojë në kohë dhe do duhen titanë të tillë për t’i dhënë një hov kinematografisë shqiptare” tha ai.
Prej dekadash, krijimtaria e tij ka pasur ndikim të thellë në formësimin e identitetit artistik të vendit, duke e bërë atë një nga figurat më të respektuara në jetën kulturore shqiptare./abcnews.al/

