Lamtumirë, Aretha! Muzikantë, familjarë dhe ish-Presidentë i japin lamtumirën

schedule16:51 - 1 Shtator, 2018

schedule 16:51 - 1 Shtator, 2018

Ikona e muzikës Aretha Frenklin është përcjellë për në banesën e fundit, me një ceremoni mortore të ndjekur nga këngëtarë, familjarë, miq dhe ish-presidentë që mes të tjerash kanë vlerësuar angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve me ngjyrë.

Muzikantë, familjarë, miq dhe adhurues i dhanë lamtumirën e fundit legjendës Aretha Frenklin, në ceremoninë mortore të mbajtur në Detroit. Ceremonia zgjati për rreth 7 orë dhe u shoqërua si me vajtim, ashtu edhe me këngë dhe në një moment vallëzime. Duke u fokusuar tek lidhja e fortë e Frenklin me Ungjillin, gjatë ceremonisë performuan këngëtarja Ariana Grande dhe Çaka Khan, të shoqëruar nga Stivi Uonder, që dha dhe një finale emocionuese. Frenklin ndërroi jetë për shkak të kancerit në pankreas në moshën 76-vjeçare.

Ajo u përcoll në banesën e fundit nga një autokolonë prej 100 Kadillakësh rozë, një arkivol të larë në ar, e vlerësuar nga tre ish-presidentë dhe dhjetëra predikues. Të pranishmit e kujtuan atë jo vetëm si mbretëreshën e Soul-it, por edhe si teze, gjyshe, shoqe dhe aktiviste për të drejtat civile të njerëzve me ngjyrë. “Arsyeja përse jemi këtu sot është dashuria. Dashuria për këtë grua”, tha Stivi Uonder, duke interpretuar refrenin e një prej këngëve të tij që thotë: “Do të të dua përgjithmonë”. Ylli i muzikës pop, Ariana Grande këndoi një nga këngët ikonë të Frenklin, “A Natural Woman”; Xhenifer Hjudson këndoi “Ëmejzing Grejs”, ndërsa versioni i Gledis Najt “You will never walk alone” bëri që të pranishmit të ngriheshin në këmbë dhe të luteshin. I pranishëm në ceremoni, ish-presidenti Bill Klinton foli nga podiumi, duke u prezantuar si një adhurues të Frenklin dhe vlerësoi punën etike të yllit të muzikës.

Ndërsa ish-presidenti Barak Obama, në pamundësi për të qenë i pranishëm, dërgoi mesazhin e tij. “Përmes zërit të saj të veçantë, Aretha u dha fuqi dhe frymëzim të lënduarve, të shtypurve dhe kujtdo që kishte nevojë për pak dashuri”, thuhej në mesazhin e presidentit të parë me ngjyrë. Një mesazh të ngjashëm dërgoi edhe ish-presidenti Xhorxh W. Bush. Gjatë karrierës muzikore të gjatë 7 dekada, Frenklin fitoi 18 çmime Gremi dhe dominoi 17 herë top tenin e klasifikimeve amerikane. Performanca e saj e fundit ishte nëntorin e kaluar në një event në Nju Jork, në mbështetje të fondacionit të kolegut Elton John kundër Sidës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!