Antonio Conte kishtë dëshirë të vijonte punën tek Interi, por problemet ekonomike të klubit dhe vendimi i pronarëve për të ulur shpenzimet dhe për të shitur një nga yjet e skuadrës, ndikoi që palët të ndërprisnin bashkëpunimin mes tyre.
Trajneri nga Lecce drejtoi për dy sezone zikaltrit, të cilët i riktheu këtë sezon te fitimi i titullit kampion. 51-vjeçari ka reaguar me anë të një postimi në “Instagram”, aty ku falënderon dhe i përshëndet të gjithë për mbështetjen.
“Çfarë rrugëtimi në këto dy vite! Çdo ditë kemi shtuar forcën brenda nesh, vendosmërinë, vullnetin dhe sakrificat, duke arritur të thyejmë logjikën e mediokritetit me të cilën rrethoheshim.
View this post on Instagram
Asnjë justifikim apo alibi, vetëm punë, punë dhe punë, e kombinuar me respekt dhe edukim. E rikthyem Interin te titulli pas 11 vitesh, por mbi të gjitha e kthyem Interin aty ku e meriton për shkak të historisë dhe traditës.
FALEMINDERIT të gjithëve që e bënë të mundur këtë arritje! Lojtarëve, stafi teknik, presidentit, drejtuesve dhe të gjithë personave që na kanë ndihmuar dhe mbështetur këto dy vjet.
Tifozëve të Interit më lejoni t’u them që, në një periudhë shumë të vështirë për të gjithë për shkak të pandemisë, e kemi ndjerë gjithmonë mbështetjen, ngrohtësinë dhe afërsinë e tyre.
Imazhin e titullit të ngritur në San Siro me ju të pranishëm në festë, do e mbaj gjithmonë me vete. Faleminderit, Antonio“, përfundon trajneri kampion i Serie A. /abcnews.al