Lampard u prezantua si trajneri i ri i Çelsit

schedule17:15 - 4 Korrik, 2019

schedule 17:15 - 4 Korrik, 2019

Frenk Lampard është trajneri i ri i Çelsit. Legjenda e bluve të Londrës u prezantua në stadiumin “Stemford Brixh”, dhe premtoi të fitojë trofe.

Padyshim një nga rikthimet më të mëdhenj.

Frenk Lampardit iu dha zyrtarisht detyra që ai e ëndërronte, ajo e trajnerit të Çelsit, dhe legjenda e bluve të Londrës u prezantua në “Stemford Brixh”, në krah të njeriut të besuar të pronarit Abramoviç, Marina Granovskajës.

Pas vetëm një viti në stol, tek Derbi Kaunti, Lampardi u vlerësua si njeriu i duhur për të zënë vendin e Mauricio Sarrit që u largua tek Juventusi.

“Është diçka e madhe për mua, gati surreale, sepse karriera ime ishte këtu, – u shpreh ish-mesfushori, – luajta për 13 vjet me Çelsin dhe ky klub është shumë i rëndësishëm për mua. Ky është një kapitull I ri, dhe unë mezi po pres të filloj punën. Emocionet janë të mëdha. Kam qenë me fat që kam luajtur me lojtarë të mëdhenj, dhe po ashtu jam me fat sepse po gjej sërish lojtarë të mëdhenj. E di se prej meje kërkohet shumë, dhe do të përpiqem të fitoj”.

Objektivat për Lampardin janë po ato të trajnerëve përpara tij, të sigurojë trofe.

Edhe pse Çelsi nuk do të mund të bëjë përforcime, për shkak të dënimit të UEFA-s, sërish nga tekniku kërkohet titulli kampion.

Lampard luajti më shumë se 1 000 ndeshje si profesionist, me klubet dhe kombëtaren e Anglisë, duke shënuar mbi 300 gola.

Edhe pse mesfushor ai është shënuesi më I mirë në historinë e Çelsit, si dhe rekordmeni i golave  për mesfushorët në Premier Ligë.

Gjatë karrierës, ai fitoi 3 tituj kampion në Angli, katër Kupa të Anglisë, si dhe Championsin e Ligën e Europës, të gjithë me Çelsin. /ABc news Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!