Kepa Arrizabalaga është kthyer në një çështje te Chelsea. Frank Lampard pret më shumë nga portieri spanjoll dhe në ndeshjen e fundit në kampionat e uli në stol. Përballë Leicester City e nisi si titullar “veterani” Caballero.
Trajneri i “Bluve të Londrës” është ndaluar te situata e portierit spanjoll në konferencën e dhënë përpara ndeshjes kundër Manchester United (të hënën, ora 21:00). Lampard nuk zbulon asgjë nga ajo që ka në mendje dhe e komenton në këtë mënyrë veprimin për ta ulur Kepën në stol.
“Nuk kam marrë ende asnjë vendim nëse Kepa do të luaje apo jo kundër Manchester United. Nuk marr parasysh çmimin e kartonit të lojtarit, bazohem te ajo që shoh në fushë dhe stërvitje. Ulja në stol ndaj Leicester? Ishte një vendim i asaj ndeshje. E di se çfarë ka provuar lojtari, më ka ndodhur edhe mua shumë herë të përfundoj në stol gjatë karrierës time“, përfundon Frank Lampard. /abcnews.al