Chelsea pritet të jetë një ndër klubet më aktive në merkaton e verës dhe ka gati 200 milion paund për të shpenzuar. “Blutë e Londrës” kanë ambicie të mëdha dhe Frank Lampard i ka treguar drejtuesve 3 dëshirat e mëdha. Daily Mail raporton se të tre lojtarët luajnë në Serie A.
I pari është Gianluigi Donnarumma. Spanjolli Kepa do të largohet në fund të sezonit dhe portieri italian shihet si zëvendësuesi perfekt. Klubi anglez është gati të plotësojë kërkesat ekonomike të Milanit dhe do bëjë maksimumin ta transferojë në “Stamford Bridge” 21-vjeçarin e kombëtares italiane.
Ëndrra e mesfushës quhet Miralem Pjanic. Juventusi nuk e ka përjashtuar shitjen e 29-vjeçarit dhe Chelsea po përgatit një ofertë për të. Në fund sulmi. Trajneri Lampard është bindur që të investojë te Lautaro Martinez.
Sulmuesi i Interit ka një klauzolë largimi prej 111 milion eurosh, shumë që “Blutë e Londrës” nuk e kanë problem për ta paguar. Problem mbetet rivaliteti me Barcelonën, por Chelsea do të tentojë t’i ofrojë një rrogë përrallore 22-vjeçarit argjentinas për ta bindur që të transferohet në Premier League. /abcnews.al