Lajçak viziton Kosovën për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve

schedule07:34 - 15 Shtator, 2021

schedule 07:34 - 15 Shtator, 2021

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, këtë të mërkurë do të vizitojë Kosovën për të diskutuar në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut dhe procesin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka bërë me dije se vizita e tij do zgjasë 2 ditë ku pritet që të takohet me udhëheqës politikë, parlamentarë, komunitetin ndërkombëtar, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe mediave, si dhe të rinj.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen disa ditë pas raundit të ri të bisedimeve që u zhvilluan në Bruksel në nivel të ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë.

Pas përfundimit të takimit trepalësh (Kosovë-Serbi-BE) më 8 shtator, Lajçak pati thënë se nuk ka përafrim të qëndrimeve nga ana e palëve.

“Pozicionet në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta. Na pret punë e madhe në të ardhmen”, shkruante në Twitter.

Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillojnë takime në dy nivele, atë të grupeve negociatore të cilat i udhëheqin, zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovië, dhe takimet në nivel të udhëheqësve të vendeve, përkatësisht kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçië./abcnews.al