Lajçak nga Beogradi: Pa Asociacion, nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

schedule12:29 - 14 Mars, 2023

schedule 12:29 - 14 Mars, 2023

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak deklaroi se pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë sere, nuk do të ketë një marrëveshje.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), Lajçak u shpreh se qëllimi nuk është që dikush të fitojë dhe dikush tjetër të humbasë.

“Qëllimi është të kërkojmë një situatë të favorshme dhe të hapim derën evropiane”, theksoi Lajçak ndër të tjera gjatë intervistës së dhënë.

Ai nënvizoi se në takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes kryeminisrtit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, synohet të arrihet një marrëveshje që ka një mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Nga dita e djeshme, Lajçak ndodhet në Beograd, ku po zhvillon takime me krerët më të lartë të shtetit. Ai u takua me presidentin Vuçiç dhe do të vijojë takimet edhe me partitë opozitare serbe.

Lajçak zhvilloi edhe një vizitë dy ditore në Kosovë, ku u takua me kryeministrin Kurti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!