Lajçak dhe këshilltarët e Scholz dhe Macron vizitojnë sot Kosovën

schedule07:29 - 9 Shtator, 2022

schedule 07:29 - 9 Shtator, 2022

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët emëruar nga Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron , do të vizitojë sot Kosovën. Pas Kosovës, ata do të zhvillojnë një vizitë edhe në Serbi, raporton Express.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar para katër ditësh se qëllimi i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”.

“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiç”, konfirmoi Stano.

Detaje rreth vizitës ka dhënë edhe zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

“Qëllimi i vizitës do të jetë për të parë se cilat janë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka deklaruar Hebstreit.

“Siguria në Evropë, e këtu hyn dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, ka rëndësi shumë të madhe për kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin franczez Emmanuel Macron. Kjo nënkupton edhe përforcimin e angazhimit për normalizimin e plotë të marrrëdhënieve Serbi-Kosovë. Nisur nga tensionet e kohëve të fundit, që të dy kanë ngarkuar këshilltarët e jashtëm, Jens Plöttner, dhe Emmanuel Bone, që t’i mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së, Miroslav Lajçak”, sqaroi Hebestreit.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.

Stano tha se BE “dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme” dhe që “të çojnë dialogun drejt fundit”.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

Pas angazhimeve të tyre diplomatike, dy vendet arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!