Laguna e Karavastasë/ABC News sjell për herë të parë pamje

schedule14:02 - 16 Janar, 2018

schedule 14:02 - 16 Janar, 2018

Për herë të parë një kamera televizive hyn në ishullin e pelikanit në Karavasta. ABC News ju sjell pamjet e pelikanit kaçurrel në banesën e tij. Në Ballkan, kjo specie mund të riprodhohet vetëm në këtë lagunë, ndaj konsiderohet i rrallë dhe i rëndësishëm.

 

Është Laguna e Karavastasë, nga bukuritë e rralla të natyrës. Sot ka numrin më të lartë të shpendëve të egër dhe kolonitë e tyre. Përmes ngushticave, e kanaleve ranore pamja është spektakolare. Pelikani kaçurrel, simboli i lagunës është aty. Janari është periudha e vetme kur ky shpend ndërton foletë.

Ndërtimi i tyre për të tretin vit radhazi ndihmohet edhe nga  punonjësit e Agjensisë së zonave të mbrojtura. Kjo ndihmë i jepet pelikanit për shkak të rritjes së nivelit deri në një metër të ujit të detit, çka sjell përmbytjen e foleve. Nëse uji mbulon vezët, ato do të përmbyten e për pasojë do të ulet numri i çeljes së zogjve.

Pelikani kaçurrel në lagunën e Karavastasë ka ishullin e tij. Prej vitesh ka ngritur kolonitë. Për të ruajtur zonën është ndërtuar në mes të detit një vend roje, punonjësi i së cilës qendron aty vetëm për foletë e pelikanit.

Në këtë ishull janë 5- 15 grupe folesh, dhe mbi 200 pelikanë në kullotë. Foletë janë ndërtuar kryesisht me dega pishe.

Është hera e parë që një televizion hyn në ishullin e Pelikanit, në shtëpinë e këtij shpendi gjigand. Në zonë hyrja është rreptësisht e ndaluar, sidomos deri në mbarim të ciklit riprodhues të pelikanit.

Pelikani kaçurrel nuk shtegton dhe është një specie e mbrojtur në Shqipëri. Laguna e Karavastasë është e vetmja zonë në Ballkan ku kjo specie riprodhohet. Vite më parë çerdhet e tij u shkatërruan dhe vezët e tyre u thyen nga banorët e zonës, çka vuri në rrezik zhdukjen e tyre.

Gazetare e ABC News, Lushnje: Anila Sefa