Laçi skuadra për t’u mundur? Cungu: Specialistët i shohin gjërat në letër…

schedule09:17 - 25 Tetor, 2020

schedule 09:17 - 25 Tetor, 2020

Laçi triumfoi dje kundër Tiranës në miqësore dhe trajneri Armando Cungu ishte i kënaqur me atë që skuadra e tij dha në fushën e blertë. Shkodrani, në deklaratën e dhënë pas ndeshjes, për Abcnews.al dhe mediat e tjera të pranishme tha: “Pas shumë miqësoreve jo bindëse, vjen kjo me Tiranën. Realisht në pjesën më të madhe jam i kënaqur përsa i përket lojës.

Kërkuam edhe rezultat, pasi kampionati mendoj se është në prag dhe duhet. Për këtë arsye duhet ta kërkonim rezultatin, të kishim atë shpirtin dhe karakterin e garës. Besoj se nuk mund të ketë garë pa rezultat. Në përgjithësi jam i kënaqur me atë që dhanë djemtë, edhe pse mbetem i mendimit se kemi shumë për të përmirësuar”.

Laçi kishte disa mungesa të rëndësishme në miqësoren e djeshme dhe Cungu, i pyetur që duke pasur parasysh mungesat, skuadra e tij duhet të jetë edhe më e fortë, deklaroi: “Relativisht duhet të jetë më e fortë. Na mungonin shumë titullarë dhe janë nga ata që kanë bërë një sezon shumë të mirë vjet, kështu që janë bërthama e ekipit dhe do të jenë të tillë.

Megjithatë ekipi është përforcuar me ardhjen e lojtarëve të tjerë, alternativat janë më të mëdha se sezonin e kaluar. Kjo bën që edhe mua si trajner dhe drejtuesve të klubit na lind e drejta për të kërkuar diçka më tepër nga ky Laç, pra një marsh tjetër”. Specialistë të ndryshëm futbolli e kanë vlerësuar merkaton e Laçit dhe mendojnë se kurbinasit janë ndër ekipet favorite për titull.

A është Laçi skuadra për t’u mundur? Cungu shton: “E thashë që do të kërkojmë marsh tjetër, kampionat tjetër. Jemi më të rritur si ekip, jo në moshë, jemi më të rritur në aspektin e mënyrës së lojës. Tani kemi një personalitet tjetër dhe natyrshëm që kërkojmë diçka më tepër se sezoni i kaluar.

Në letër gjërat mund t’i shohin specialistët, mund të marrin lapsin e të shohin Laçin e vjetshëm dhe të sivjetshëm, ku është forcuar e të tjera gjëra. Besoj se kështu bëhen llogaritë, si për Laçin ashtu edhe për çdo ekip tjetër të Superiores. Pastaj shihet kush është favorit. Mendoj se janë tre katër ekip në valle, mes tyre edhe ne. Kjo është ajo që mund të them për momentin”. /Vladimir Prenga/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!