Laçi do presë sot në orën 17:00 skuadrën norvegjeze, në sfidën e kthimit të Europa League. Kurbinasit do tentojnë mrekullinë për të kaluar në turin e tretë.
Laçi humbi me rezultatin 3–0 javën e kaluar në fushën e Molde, por për trajnerin Besnik Prenga, ekipi i tij nuk do të dorëzohet pa luftuar. Sot në orën 17:00, kurbinasit do të presin në sfidën e kthimit të Europa League skuadrën norvegjeze për të tentuar mrekullinë që të kalojnë në turin e tretë.
“Futbolli është futboll, janë kthyer ndeshje me rezultate edhe më të thella. Ne nuk jemi të vdekur, nuk jemi dorëzuar! Mos kërkoni të them që nuk kemi shanse”, tha trajnerit i Laçit, Besnik Prenga.
Në anën tjetër është një ish-futbollist i njohur si trajner, Ole Gunnar Solskjaer. Ai thotë se duhet të presë fundin e takimit për të festuar.
“Gjithçka mund të ndodhë, asgjë nuk ka përfunduar. Kemi ardhur këtu për të zhvilluar lojën tonë. Në ndeshjen e parë treguam një pjesë të forcës tonë, ndërsa në këtë takim na janë kthyer edhe disa lojtarë që kanë qenë të dëmtuar. Është një ndeshje e rëndësishme”, tha trajneri i Moldes.
Ndeshja do të zhvillohet në temperatura të larta, që shikohet si avantazh për lojtarët e Laçit, që janë mësuar të luajnë në të tilla kushte në dallim nga ata të Molde./abcnews.al