Laçi: Debutimi fryt i progresit tim, krenari e madhe por më trishtoi humbja

schedule13:19 - 10 Shtator, 2020

schedule 13:19 - 10 Shtator, 2020

Mbrëmja e 7 shtatorit nuk ishte aspak e mirë për Shqipërinë dhe popullin kuqezi, por Qazim Laçi do e mbajë mend gjatë. Mesfushori dibran debutoi me kombëtaren e madhe, duke e nisur si titullar takimin me Lituaninë në Nations League.

Në fushë gjërat nuk shkuan mbarë, miqtë fituan 0-1, rezultat që e trishtoi 24-vjeçarin. Gjithsesi, Laçi ndihet i lumtur dhe krenar për realizimin e ëndrrës së tij të madhe, emocione që i shpreh në një prononcim për sajtin zyrtar të Ajaccio, klubit francez ku garon.

Kisha gjithë jetën që e prisja debutimin me kombëtaren e madhe, teksa isha aktivizuar me të gjitha përfaqësueset e moshave më parë. Momenti erdhi dhe është krenari e madhe që mbroj fanellën e kombëtares së vendit tim.

Një shpërblim për punën time të madhe dhe progresin e bërë. Provova shumë emocione gjatë ndeshje me Lituaninë. U ndjeva shumë krenar që e nisa si titullar,por jam disi i trishtuar për faktin që nuk e fituam dot ndeshjen.

Ajaccio? Nuk e kemi nisur kampionatin ashtu siç donim (dy humbje në dy ndeshjet e para). Por, ka qenë një situatë e vështirë, që lidhet edhe me fundin e sezonit të kaluar. Në ekip janë afruar disa lojtarë të rinj dhe jam i sigurt se me kalimin e kohës do të rikthehemi te fitoret“, deklaron Laçi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!