Laboratori i kokainës, eksperti i Sigurisë: Aksioni ka qenë i suksesshëm, pati bashkëpunime me ndërkombëtarët

schedule21:41 - 18 Nëntor, 2024

schedule 21:41 - 18 Nëntor, 2024

Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa komentoi operacionin e zhvilluar nga SPAK, ku u zbulua laboratori i kokainës me të paktën 10 të arrestuar.

“Rrallë ka ndodhur që një operacion i nisur ka arritur në destinacion. Aksioni ka qenë i suksesshëm. Dhe ka pasur edhe një bashkëpunim me ndërkombëtarët”, u shpreh ai, duke shtuar: “Ka qenë një ngarkesë, një dorëzim i kontrolluar sepse është mbajtur në vëzhgim sikur mbahen linjat e prodhimit.  Pra këto anije që bëjnë transport kanë informacione që vijnë nga vendet e origjinës, kontrollohet deri sa ngarkesa shkon në vend ku është përgjuar apo kontrolluar. Këta laboratorë që ne flasim sot, janë linja. Si laboratorë për falsifikimin e pasaportave, për prodhimin e drogës…Janë laboratorë mbi bazën e linjave fakti që kanë zgjedhur dy pika si Kodra e Diellit dhe në Qerekë sepse janë pozicione strategjike”.

Lënda narkotike, sipas SPAK, është importuar nga Amerika Latine, në muajit shtator dhe nëntor të këtij viti. Nga aksioni i policisë, u sekuestruan 48 ton material i papërpunuar.

Grupi kriminal e fshihte lëndën narkotike në lëkurë gjedhi në mënyrë që të mos zbulohej nga policia. Gjatë kontrolleve në disa godina të këtij grupi kriminal janë kapur 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës.

Gjithashtu nga aksioni i zhvilluar disa ditë më parë u sekuestruan edhe 6.1 kilogram kokainë, shuma të ndryshme parash, rreth 37 mijë euro si dhe 57 milion pesos kolumbiane.

/abcnews.al/