Erling Haaland i befasoi të gjithë dhe zgjodhi Borussia Dortmund për të vijuar karrierën. Verdhezinjtë paguan 45 milionë euro për kartonin e sulmuesit të talentuar, nga të cilat 20 milionë shkuan për Salzburg, 10 milionë për babain e lojtarit dhe 15 milionë Mino Raiola, agjenti i tij.
Ky i fundit ka sqaruar për Daily Telegraph zgjedhjen e 19-vjeçarit norvegjez, i cili preferoi klubin gjerman përpara Manchester United dhe Juventusit, teksa firmosi deri në vitin 2024 me Dortmund. Haaland do të përfitojë 6 milionë euro rrogë sezonale në dy vitet e para dhe 8 milionë në dy vitet e tjera.
“Oferta e Manchester United ishte e mirë, por vendimi ynë nuk ka të bëjë me aspektin ekonomik. Thjeshtë lojtari, në këtë fazë të sezonit, preferoi Dortmundin. E njoh nga afër Solskjaer, Manchester United ishte klubi i vetëm me të cilin pata kontakte direkte. Haaland pati ndjesinë që kalimi te United nuk ishte hapi i duhur për të në këtë moment“, thekson Mino Raiola. /abcnews.al

