La Europën… për Kukësin/ Historia e emigrantit që shtëpinë e gjyshit e ktheu në bujtinë

schedule20:24 - 2 Nëntor, 2024

schedule 20:24 - 2 Nëntor, 2024

Kjo verë shënoi një prezencë të turistëve të huaj në Kukës. Madje disa zona u kthyen në atraksione me frekuentim të lartë duke shënuar një kapitull të ri për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. Sigurisht që nuk është e lehtë të iniciosh nisma të tilla me fokus turizmin, një sektor që kërkon përkushtim dhe investim.

Labinot Gjana është njëri prej të rinjve që ka nisur këtë rrugëtim përmes bujtinës së tij thuajse në pikën fundore të Bushatit. Një vend që ofron gjithçka, peizazh buzë liqenit, rrethuar me gjelbërim e qetësinë e pafundme.

Idenë për të ngritur bujtinën e përkushtuar turizmit, Labinoti e mori në kohën kur ishte në emigrim rreth vitit 2011.

Ashtu si për çdo të ri e kushdo që merr rrugën e emigrimit, edhe për Labinotin kishte vështirësi, por i kishte vënë synim vetes për t’u rikthyer në vendin e tij.

E kishte mirëmenduar dhe falë eksperiencave të fituara gjatë periudhës së emigrimit në Itali e Gjermani, turistët e parë Labinoti i solli në vitin 2018.

E në fakt është paksa e çuditshme se si e gjejnë Bushatin turistët, ndërsa  vetë banorët e zonës habiten kur shohin grupe grupe turistësh që mbërrijnë nga shtetet e huaja aty.

Nuk ka turistë që ecin me hamendësime dhe të vizitojnë atë çfarë mund t’u dalë para, por Bushati dhe bujtina e Labinotit janë kthyer në referencë për ata që vijnë.

Idenë fillestare e kishte thjesht për të bërë rikonstruksionin e shtëpisë së gjyshit, por pse jo për të provuar edhe idenë e hapjes së bujtinës e që ia vlejti.

Labinoti është certifikuar edhe si guidë. Falë kësaj, por edhe përpjekjeve për të krijuar mundësi të tjera për turistët, po i bën ata që të rrinë më shumë se një natë

E kur ke aq shumë turistë, natyrisht që rritet edhe konsumi. Ndaj Labinoti thotë se kjo është në një farë mënyre edhe mundësi për të ndihmuar banorët e zonës duke marrë produktet e tyre.

Labinoti thotë se nuk e ka problem edhe nëse nuk ka turistë ndonjë ditë. Fundja është në shtëpinë e tij dhe nuk ka kosto shtesë. Këtë model synon ta përcjellë e të nxisë edhe të tjerët që të investojnë në bujtina e të tilla biznese të vogla

Modele të ngjashme po synohen të shtrihen edhe në zonat e tjera të Kukësit ku tashmë kanë krijuar eksperiencat dhe emrin e tyre si në Bushtricë, Ujmisht e Grykëçajë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!