Vasil Shkurtaj dhe Kyrian Nwabueze janë dy sulmuesit që kanë shënuar më shumë këtë sezon. Nigeriani me pasaportë amerikane i Laçit për shumë javë kryesoi listën e golashënuesve, duke shfrytëzuar edhe një dëmtim të vlonjatit.
Më pas ishte sulmuesi i Kukësit që përfitoi dhe sot numëron 20 gola, një më shumë se Nwabueze. Të dy lojtarët e dëshirojnë “Këpucën e Artë” dhe një ditë më parë klubi verilindor dha një lajm të mirë.
Shkurtaj e ka lënë pas dëmtimin dhe pas seancave stërvitore veçmas grupit, ai është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës dhe mbetet të shihet nëse do të marrë minuta nesër kundër Vllaznisë. Ai do kërkojë të shënojë edhe ndonjë gol tjetër këto javë të mbetura të kampionatit.
Ky është misioni i tij i fundit, ndërkohë që nga ana tjetër edhe Nwabueze do mundohet të gjejë rrugën e rrjetës për ta fituar vetë “Këpucën e Artë”. /abcnews.al