Ishulli në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor Tonga, raportoi rastin e parë me Covid-19 të premten, duke nxitur mijëra njerëz të vaksinohen mes paralajmërimeve për një bllokim kombëtar, shkruan CNN.
Tonga ishte një nga vendet e pakta që nuk kishte raportuar asnjë rast të vetëm Covid që nga fillimi i pandemisë. Por të premten, Kryeministri Pohiva Tu’i’onetoa konfirmoi rastin e parë pozitiv nga një pasagjer që kishte udhëtuar nga Zelanda e Re . Udhëtari i infektuar mbërriti në Tonga të mërkurën pasi kishte udhëtuar nga Christchurch, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Zelandës së Re.
Pasagjeri ishte vaksinuar plotësisht, madje kishte rezultuar negativ në Zelandën e Re përpara nisjes së fluturimit. Tu’i’onetoa tha se i gjithë stafi i aeroportit që ishte në kontakt me ndonjë nga pasagjerët në fluturim janë karantinuar dhe ai paralajmëroi banorët të përgatiteshin për një bllokim të mundshëm kombëtar pas rastit, raporton abcnews.al
Pas lajmit për rastin e parë pozitiv me Covid, mijëra njerëz nxituan në qendrat e vaksinimit për tu vaksinuar. Tonga është një vend polinezian me më shumë se 170 ishuj, në të cilin jetojnë 100,000 banorë. Arkipelagu shtrihet rreth 800 kilometra në lindje të Fixhit dhe 2,380 kilometra nga Zelanda e Re.
Megjithëse nuk ka raportuar një rast Covid deri më tani, kombi ishull shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Mars 2020 dhe mbylli kufijtë për të huajt. Ashtu si kombet e tjera ishullore të Paqësorit, veprimi i hershëm i Tongës e ka mbrojtur nga shpërthimet e Covid që mund të kishin shkatërruar vendin, ku 22.1% e popullsisë jeton nën kufirin kombëtar të varfërisë dhe pajisjet mjekësore janë të kufizuara.
Por masat e rrepta të udhëtimit kanë prekur shumë ekonomitë e kombeve ishullore të Paqësorit, veçanërisht ato që mbështeten në turizëm. Kombet e Paqësorit të Tuvalu dhe Nauru janë ndër të vetmet vende në botë që nuk kanë raportuar asnjë rast me Covid. Turkmenistani dhe Koreja e Veriut gjithashtu nuk kanë raportuar zyrtarisht asnjë rast./abcnews.al