Për italianët është koha për të festuar! UNESCO njohu kuzhinën e tyre si një trashëgimi kulturore jomateriale.
Kështu, kuzhina e fqinjëve tanë përtej detit, bëhet stili i parë gastronomik në botë që njihet nga organi kultutor i Kombeve të Bashkuara, një status që pritet të ndihmojë në mbrojtjen e saj nga imitimet.
Vendimi u konfirmua të mërkurën nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Ajo tha se ky hap nderon identitetin italian sepse për ta kuzhina nuk është vetëm ushqim dhe një koleksion recetash, por shumë më tepër: Është kulturë, traditë, punë dhe pasuri.”
Njohja nga UNESCO si trashëgimi kulturore jomateriale shënon fundin e suksesshëm të një fushate tre-vjeçare nga Ministria e Bujqësisë e Italisë për të njohur mënyrën tradicionale të kombit të kultivimit, përgatitjes dhe servirjes së ushqimit.
Kjo vjen ndërsa vendi vazhdon të luftojë kundër ushqimit italian “të rremë” dhe madje edhe kundër prodhimit të vajit të ullirit të rremë dhe përdorimit të emrave që tingëllojnë italisht në produktet që nuk janë prodhuar në Itali.
Njohja nga UNESCO pritet të ndihmojë në mbrojtjen e kuzhinës nga abuzime të tilla kulinare.
Italia ka argumentuar vazhdimisht se peizazhet e gjalla gastronomike të vendit pasqyrojnë diversitetin biokulturor të kombit dhe se kuzhina i përmbahet qëndrueshmërisë, sezonalitetit dhe recetave jo-shpërdoruese, gjë që i shton veçantisë së saj.
Po ashtu transmetimi i traditave brenda familjeve gjatë brezave krijon një lidhje sentimentale me ushqimin.

