Seanca nesër në 10.00, Opozita: Vonesa për të penguar protestën

schedule11:10 - 4 Mars, 2019

schedule 11:10 - 4 Mars, 2019

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi sot në mesditë, përmes publikimit në faqen zyrtare, se seanca e nesërme plenare do të nisë në orën 10.00. Si edhe për seancën e mbajtur të martën e kaluar, koha zyrtare e fillimit të saj, po shpallet nga Kuvendi pak orë para seancës. Kjo gjë është parë nga opozita si nje veprim në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe që synon pengimin e protestave të saj.

Seancat parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë kthehen në arenën personale të përplasjeve mazhorancë – opozitë. Prej dy javësh, nga momenti kur opozita parlamentare dorëzoi mandatet e deputetëve të saj, Kuvendi i Shqipërisë dhe koalicioni opozitar luajnë kukafshehti me ditën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare të përjavshme, përballë së cilës opozita thërret protestuesit.

E ndërsa zakoni ka dashur që seancat të zhvillohen ditën e enjte, prej dy javësh, me urdhër të kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ato janë zhvendosur për ditën e martë. Arsyeja?

Mazhoranca kërkon evitimin e përplasjes me protestuesit e thirrur nga opozita; kjo e fundit duket se refuzon të protestojë përpara godinave boshe.

E ndërsa zhvendosja e mbledhjes së parlamentit nga dita e enjte në ditën e martë, që u pasua me thirrjen e protestuesve nga opozita në të njëjten ditë dhe orë që zhvillohet seanca plenare, nuk arriti të evitonte tensionet.

Mazhoranca duket se ia ka parë frytet, pasi edhe këtë javë përsëriti të njëjtin skenar: publikimin e urdhrit për mbledhjen në seancë plenare dhe rendin e ditës që pritet të diskutohet dhe votohet, duke saktësuar vetëm datën dhe jo orarin ku kjo mbledhje do të zhvillohet.

E ndërsa opozita ka deklaruar se kurdo që seancat të zhvillohen, ata do të protestojnë përballë saj, mazhoranca duket se kërkon të dobësojë mundësinë e organizimit të opozitës për protestë, duke mos lajmëruar orarin kur kjo seancë do të zhvillohet, e rrjedhimisht  duke lënë në pikëpyetje orarin kur protestuesit pritet të thirren në tubim.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!