Kuvendi rrëzoi sot 8 dekrete të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, duke lënë në fuqi dy kontratat e shumë debatuara koncesionare për ndërtimin e akseve rrugore Orikum Dukat, dhe Milot – Balldren. Ministrja Spiropali tha se pret që Meta të çlirohet nga detyra për të drejtuar opozitën, ndërsa Presidenca replikoi duke i quajtur kontratat vjedhje.
Nuk ka paqe mes socialistëve dhe Ilir Metës. Siç kishin paralajmëruar, socialistët rrëzuan në Kuvend 8 dekrete të Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Vetëm 22 vota nga opozita parlamentare mbështetën Ilir Metën që kërkonte ndryshimin e ligjit për koncesionet, por mazhoranca e rrëzoi dekretin me 76 vota kundër.
Kuvendi la në fuqi dy kontratat e shumë debatuara koncesionare për ndërtimin e akseve rrugore Orikum Dukat, dhe Milot – Balldren me 76 vota kundër dhe 23 pro. Mazhoranca po ashtu rrëzoi propozimin e tretë të Metës për kryetar të KLSH-së. Petraq Milo mori 77 vota kundër e 15 pro.
Më herët, Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin akuzoi Presidentin për lidhje të drejtpërdrejta me opozitën.
Menjëherë erdhi nga Presidenca reagimi i zëdhënësit Tedi Blushi.
“E ftojmë të Çmendurën E. të lexojë raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të Presidentit Meta dhe sjelljet antikushtetuese të Kuvendit, KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, që i provojnë të gjithë botës demokratike kapjen e shtetit nga Rilindja moniste. Klithmat anti-presidenciale të porositura sot me urgjencë duan të spostojnë vëmendjen nga miratimi kokëfortë i PPP-ve më të shtrenjta në botë, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe interesin publik, dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë”.
Dekreti i Presidentit që ktheu pas ligjin për Akademinë e Shkencave është parashikuar të rrëzohet javën tjetër.
/ABC News Albania 24/7