Kuvendi publikon listën e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese

schedule13:51 - 4 Prill, 2019

schedule 13:51 - 4 Prill, 2019

Pas shpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë një muaj më parë të vakancës së plotë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese që zgjidhet nga Kuvendi, ky i fundit ka publikuar edhe listën me gjyqtarë që kanë aplikuar si kandidatë të interesuar për plotësimin e kësaj vakance.

Ata janë Arta Vorpsi, Avni Shehu, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Klodian Rado, Kostandin Kazanxhi, Mitat Dautaj, Ilir Mustafaj dhe Valbona Bala (Pajo).

Tre janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga Kuvendi, përmes një procedure e cila kalon nga renditja e emrave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Bazuar në Kushtetutë, Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tre të pestat e të gjithë anëtarëve të tij, pra 84 vota deputetësh, ndërmjet kandidatëve të renditur në tre vendet e para të listës së dalë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Gjykata Kushtetuese ka mbi një vit e bllokuar për shkak të shkarkimit të gjyqtarëve si rezultat i procesit të Vettingut, proces që la në këmbë vetëm një anëtare të trupës prej 9 gjyqtarësh të kësaj gjykate./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!