SHQIPËRI- Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë të enjte rezolutën për Kosovën. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u shpreh se rezoluta u votua pro nga 101 deputetë, asnjë votë kundër dhe një abstenim.
Partia Socialiste dhe Foltorja bashkuan votat për Kosovën për miratimin e rezolutës, me anë të së cilës dënohet sulmi i armatosur i Serbisë në Manastirin e Banjsksë, ngjarja kjo e ndodhur më 24 shtator.
Sakaq, Kuvendi nuk mori në konsideratë amendamentet e Çollakut me argumentin se janë paraqitur me vonesë, ndërsa sipas Nikollës, këto amendamente duhet të ishin dorëzuar 24 orë përpara, afat ky, i cili nuk është respektuar.
Gazetarja e Abc News, Esiona Konomi, thotë se deputeti Kreshnik Çollaku ka abstenuar, ndërsa në votimin për rezolutën nuk morën pjesë deputetët e grupit të Lulzim Bashës.
Përmbajta e Rezolutës:
-Thellësisht të shqetësuar për situatën e krijuar në Republikën e Kosovës pas sulmit të organizuar ushtarak dhe kriminal të një njësie terroristësh serbë në veri të vendit, më datë 24 shtator 2023. Në këto kushte, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë shprehet se Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023.
-Në pikën e dytë, Parlamenti Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.
– Në fund, Shqipëria Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj/ n.m.abcnews.al