Kuvendi Kombëtar i PD-së ka miratuar sot vendimin për përjashtimin e personave të shpallura “non grata” nga SHBA.
Ishte propozim i Kryesisë së PD që u mblodh ditën e djeshme që i propozoi Kuvendit Kombëtar që në funksion të së ardhmes të PD dhe marrëdhëniet e ngushtë me SHBA të përjashtohen personat “non grata”. Ky propozim i Kryesisë u miratua sot në mënyrë unanime nga delegatët e PD.
“Vendimi i dytë me propozim të Kryesisë së Partisë në mbledhjen e ditës së djeshme pa një diskutimi dhe debati të gjerë brenda Kryesisë, Kryesia i propozon kuvendit Kombëtar që në funksion të të ardhmes të PD të mbrojtjes së vlerave e parimeve themelore të saj, marrëdhënia e ngushtë dhe e pa ekuivok me SHBA janë të paprekshme, duke parë të ardhmen e vendit në udhëkryq e të ardhmen e PD të kërcënuar nga jehona të së shkuarës, frymë revanshiste që kërkon flukse me frymë me ide antidemokratike e kundër vlerave identitare të pro amerikanizmit vendos: 1 Shpallja non grata nga qeveria e SHBA është e papajteushme me cdo funksion drejtues në PD. 2 Të mbështesë fuqimisht inisiativën për dekomunistizimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit politk në gjithë institucionet shtetërore e publike të partive politike”, tha kryetari i Komisionit për drejtimin e punimeve të Kuvendit të PD, Jemin Gjana.
Po ashtu u miratua edhe vendimi për të ratifikuar rezolutën e Këshillit Kombëtar të PD të 12 dhjetorit 2021, që dënonte lëvizjen e Berishës duke e quajtur anti-amerikane.
5004 delegatë të Kuvendit Kombëtar ishin të pranishëm në këtë mbledhje, ndërsa emrat e tyre do të bëhen publik ditën e nesërme.
Sjellim ndër mend se Basha ka emëruar 12 kryetarët rinj të degëve në PD, pasi u shkarkuan nga kryesia, sepse nuk u angazhuan për Kuvendin e 18 dhjetorit dhe mbështetën kuvendin e thirrur nga Sali Berisha. Ndërkaq është ngritur edhe Komisioni i Përhershëm Statutor. Anëtarë të Komisionit Statutor janë Enklejd Alibeaj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Jonila Godole, Taulant Zeneli si dhe Jorida Tabaku.
Ky Kuvend i PD vjen si një nismë për të riorganizuar opozitën pas kundërshtive që lindën në radhët e saj lidhur me përjashtimin e ish kryetarit Berisha nga grupi parlamentar, si politikan i përcaktuar i papërshtatshëm nga SHBA. Kuvendi vjen një javë pas atij të Berishës, ku u votua për shkarkimin e Bashës si dhe gjithashtu u ndryshua statuti i PD-së. /abcnews.al/