Juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin News Line në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike dhe pozicionimin e deputetes Jorida Tabaku.
Ajo kritikoi ashpër rikthimin e Tabakut dhe retorikën e saj në Kuvend, duke e cilësuar këtë veprim si “ambicie më të madhe se morali” dhe duke e akuzuar se po dëmton figurën e saj publike.
Sipas Gjikondit, nën drejtimin e Berishës, Partia Demokratike nuk ka më potencial për risi apo garë reale, veçanërisht në zgjedhjet lokale, ku ajo parashikon mungesë konkurrence të opozitës përballë kandidatëve të mazhorancës në Tiranë.
“Tabaku kishte mbajtur të njëjtin ligjërim, kishte thënë të njëjtën gjë që problemin e ka mazhoranca jo ne. Kjo është kur ambicia është më e madhe se morali. Zonja Tabaku po hedh dëm në të gjithë imazhin dhe personalitetin e saj që nuk ka pasur nevojë për një tutor, aq më tepër për një tutor si Berisha. Nuk besoj e ka njerëz më integritet dhe me moral afër Berishës.
Mendoj se për aq kohë sa të jetë Berisha të kemi njerëz me risi. Nuk besoj se do të kemi më asnjë surprizë në PD, me atë miell nuk pres që të bëhet një bukë e re. Në atë parti nuk do të kemi asnjë risi, fatkeqësisht, sepse të gjithë demokratët do të donin që të opozita të bëhej zëri i tyre. Më shumë ka një agjendë politike, se sa të merret me interesat e qytetarëve.
Në zgjedhjet lokale, unë mendoj se Tirana është kryesorja, është metropoli i Shqipërisë, unë mendoj se është mes zotit Gonxhe dhe zonja Balluku, për shkak të meritave edhe të zgjedhjeve të fundit parlamentare, pasi kanë dhënë prova se si bëhen projektet. Kanë të drejtën morale që ta kenë atë pozicion. Mendoj se nga ana e opozitës nuk do të ketë një garë. PD, nuk ka asnjë kandidat me “shtyllë kurrizore”. Berisha nuk ka ambicie të fitojë Tiranën, ai çuditet me kaq sa mori”, tha Gjikondi./abcnews.al