Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk duhet të mburremi për arritjet mes Shqipërisë dhe Kosovës pasi ka ende shumë punë për të bërë për qytetarët. Gjatë fjalës së tij në seancën e përbashkët plenare në Prishtinë, Kurti përmendi disa nga marrëveshjet e arritura mes qeverive.
“Sot në Prishtinë moti është i ftohtë, por besoj se nuk ndikon aspak në atmosferën e ngrohtë në këtë sallë. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, dy republikat tona janë parlamentare dhe ju deputetë përfaqësoni qytetarët e të dy shteteve dhe pjesëtarët e të njëjtit komb. Dy shtetet tona janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë shekullore të shqiptarëve për ruajtjen e identiteteve dhe bashkimin kombëtar.
Ndjenja e vëllazërisë dhe përgjegjësia para qytetarëve motivojnë mbledhje si këto. Si kryesues i qeverisë së Kosovës shpreh kënaqësi që të dy kuvendet bëjnë bilancin në marrëveshjet e nënshkruara që nga mbrojtja, infrastruktura, bujqësia, tregu i përbashkët energjitik, lëvizja ndërkufitare, njohja e kontributeve shkollore, tekstet shkollore….rezultatet e deritanishme të marrëveshjeve janë të prekshme për qytetarët. Shqipëria është ndër 5 vendet e para me të cilin Kosova ka shkëmbimet më të mëdha tregtare.
Jemi të vetëdijshëm se nuk na lejohet mburrja për arritjet, kemi shumë punë për të bërë si qeveri dhe kuvende për të lehtësuar bashkëpunimet midis qytetarëve të dy republikave tona sepse siç e ka thënë poeti Primo Shllaku, kufiri Shqipëri-Kosovë është si kufiri ndërmjet dy barkusheve të zemrës. Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe.”, u shpreh Kurti./abcnews.al