Kuvendi i Berishës shkarkon Bashën, 4446 delegatë votojnë pro

schedule18:08 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 18:08 - 11 Dhjetor, 2021

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha në “Air Albania” ka votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit.

Nga 4934 delegatë që ishin të pranishëm në nisje të punimeve të Kuvendit, në votim kanë marrë pjesë 4491 delegatë dhe 4446 prej tyre kanë votuar pro shkarkimit të Bashës. 9 vota kanë qenë të pavlefshme.

Përgjigjia për këtë “vendim” ka ardhur menjëherë nga Basha i cili ka mbledhur kryesinë e PD ku priten të merren disa vendime, si thirrja e Këshillit Kombëtar të PD-së ditën e nesërme dhe shkarkimi i kryetarëve të degëve që refuzuan të zbatojnë vendimin e kryesisë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor.

Sa i takon mbledhjes së kryesisë së PD, Berisha foli ashpër ndaj Bashës duke thënë se sot sipas tij tregoi se është vetëm një kufomë politike.  Nga ana tjetër, Basha, nga mbledhja e kryesisë  e ka quajtur Kuvendin e Berishës një tubim që sipas tij ka indicie për shkelje të ligjit.

Delegatët e Kuvendit të thirrur nga Berisha në “Air Albania” kanë vendosur edhe shkarkimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi si edhe të tre nënkryetarëve,  Grida Duma; Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj. Shkarkimi i tyre u bë me argumentin se nuk ishin zgjedhur sipas statutit të partisë.

Nga momenti i miratimit të shkarkimit të Bashës në referendumin e 18 Dhjetorit deri më 22 Mars kur sipas Berishës do të zgjidhet kryetari i ri, Partia Demokratike do të drejtohet nga një komision i përbërë nga 29 anëtarë. Ky ishte një tjetër vendim i marrë në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Berishës, ku gjithashtu u miratua edhe lista e anëtarëve të këtij organi të përkohshëm kolegjial. Kuvendi votoi edhe ndryshimet statutore që u propozuan nga deputeti Oerd Bylykbashi.

Pjesë e ndryshimeve statutore është edhe rikthimi i vulës dhe simboleve të PD, legalizimi i fraksioneve, vendosjen e primareve në zgjedhjen e organeve drejtuese të PD.  Kuvendi votoi edhe për anulimin e mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të 18 Dhjetorit, të thirrur nga Basha, ndërsa u njoftua se të gjitha ndryshimet që votuan sot, bashkë me zgjedhjen e kryetarit të ri do të votohen në Kuvendin e radhës që parashikojnë të mblidhet më 22 Mars. be.k/abcnews.al